Kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka denoncuar rastin e një automjeti të komunës Vaqarr i cili shpërndante ushqime te banorët e zonës.
Përmes një video në rrjetet sociale, Këlliçi shpjegon se si u arrit të kapej në flagrancë automjeti i drejtuar nga i afërmi i kryetarit të komunës.
Sipas Këlliçit ai u sinjalizua fillimisht nga banorët e zonës dhe me ardhjen e tij, personat të cilët ndodheshin në automjet e kanë braktisur atë dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.
“Kemi ndaluar mbrëmë në orën 12:30 në Mënik kryetari e njësisë së Pezës që bënte fushatë ne mesnatës. Sot jemi këtu në komunën e Vaqarrit, ku kjo makinë është kapur duke shpërndarë ndihma. Është makinë e komunës së Vaqarrit, këtu ka qenë djali i xhaxhait të kryetarit të komunës, Gentjan Myrtos një hajduti pronash.
Këtu ka një procesverbal për ushqimet që janë dhënë nga kateringu. Aty është fletëpalosja e PS, aty ka zarf të mbyllur. po presim që të vijë edhe prokurori i gatshëm. Sapo kam komunikuar. Janë banorët që kanë sinjalizuar që po shpërndahen ndihma. Kam kontaktuar edhe shefin e komisariatit për këtë shkelje, që janë zyrtarë të komunës së Vaqarrit.
Personat që janë kapur, kanë mbyllur makinën dhe kanë ikur. Jemi në pritje të prokurorit. Kemi ditë të tëra që kemi sinjalizime për shpërndarje ndihmash,” tha Këlliçi.
(R.G/Faxweb.al)