Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, ka befasuar jo pak me një deklaratë të dhënë mbrëmjen e së martës në emisionin “Opinion”. Teksa u pyet nga moderatori Fevziu se si ka mundësi që godina e selisë së PS-së është në listën e monumenteve të kulturës si ndërtesë “me vlerë” dhe Teatri Kombëtar monument “pa vlerë”, ai pohoi duke thënë: Po, patjetër!
Ai u përpoq të justifikonte shembjen e godinës së Teatrit duke thënë se ka pasur probleme në lidhje me strukturën, mirëpo këtu ndërhyri Gjergj Bojaxhi, i cili i tha se nuk ka struktura të pariparueshme.
Pjesë nga debati/ Fevziu: Selia e Partisë Socialiste, monument kulture, ndërtesë me vlerë. Teatri Kombëtar monument pa vlerë. Selia e PS e ka ndërruar fasadën rreth 15 herë. Selia e Partisë Socialiste, e cila e mund të jetë më me vlerë se Teatri Kombëtar?
Mazniku: Po patjetër! Që në vitin ’58…Objekti i Teatrit ka pasur probleme në lidhje me strukturën.
Fevziu: Ka shumë godina historike që mund të kenë probleme me strukturën. Mund të kenë probleme të pariparueshme. Gjergj Bojaxhi: Nuk ka struktura të pariparueshme! Mazniku: Patjetër që nuk ka gjë të pariparueshme. Mund ta bëjmë nga fillim.