Prokurori i Prokurorisë për Krime të Rënda, Besim Hajdarmataj, del para shkallës së parë të Vettingut në KPK. Hajdarmataj është një ndër emrat më të njohur të organit të akuzës edhe për shkak të dosjeve me peshë që ka hetuar.
Ai ka preferuar që në seancën që nisi pak çaste më parë në KPK të mos kishte avokat, apo përfaqësues ligjor, por ta bënte vetë mbrojtjen e tij.
Një ndër prokurorët më të diskutuar të muajve të fundit edhe për shkak të dosjes “339”, të cilën e ka hetuar para disa viteve. Emri i tij është lakuar si prokurori që mund të ketë nxjerr materialet sekrete të hetimit të kësaj dosje të publikuara nga prestigjozja gjermane “Bild”.
Hajdarmataj ka patur një marrëdhënie mjaft të ftohtë me të përkohshmen e Prokurorisë së Përgjithshme, Arta Marku. Tensionet arritën kulmin kur asnjë prej prokurorëve të Krimeve të Rënda nuk merrnin në dorë dosjen “Shullazi”, duke e transferuar atë së bashku me disa prokurorë të tjerë në prokurori të rretheve.
Besim Hajdarmataj ka dështuar për të qenë pjesë e SPAK, pasi KLP nuk e ka përzgjedhur në listën prej 15 kandidatësh të vlerësuar dhe pikëzuar. Hajdarmataj është paraqitur në KPK 30 minuta para fillimit të seancës publike.
(E.K/Faxweb.al)