Gjyqtarja Mimoza Margjeka ka folur me tone të ashpra pasi doli nga Gjykata e Apelit ku është lënë në fuqi masa për arrest shtëpie. Ajo pati përplasje fizike me një polic duke thënë para mediave se i kanë hequr të drejtën e fjalës. Margjeka nuk hezitoi të thoshte se arsyeja përse e kanë çuar në gjykatë është se nuk i dha mandatin Valbona Sakos.
Mimoza Margjeka: “Është absurditet. Më kanë hequr të drejtën e fjalës. Mos më kap me dorë. Nuk ka asnjë provë, emri im dhe i askujt nuk thuhet. Është përgatitje dhe nuk lejohet asgjë. Ky shtet nuk bëhet më. Guxoni ti dilni përballë shtetit, harroni se guxon njeri. Ik mos më shtyj. I kemi parë, kush është futur në burg ndonjëherë, vetëm ata që kanë dalë para shtetit. Mos më prek, më keni futur fëmijën në burg, nuk ju heq njeri nga puna, mos kini frikë, nuk bëhet shteti me mashtrime, mos më prek moj zonjë. Kërkova median në proces, nuk u lejua. Rri urtë, zonjë, rri mirë.
E kam dosjen këtu. Publikoje dosjen, nuk ka asnjë provë. I dola përballë për vendim të drejtë për njerëzit, jo për politikën. Të ishte politika do vinte këtu të më mbronte.
Mos më prek se do të përplas andej. Vendimi i Gjykatës Durrës është se bërë se nuk i dhashë mandatin bashkisë Durrës. Aty është një vend me mafie, banda, me kriminalitet. Nuk e dhashë mandatin, isha e bindur, edhe sot ta kisha. Le të varroset familja ime, le të shkatërrohet, nuk e meritonin mandatin, ishte mashtrim. Mos më prekni. E bënë me kërkesë të PS, u bë paralel, neni 58 thotë të pushohet cështja.
Pse nuk u pushua cështja? Ku do e coni këtë vend me këtë krim. E kuptoni cfarë mafie ka. E kuptoni që kisha dosjen e Gjirit të Lalzit në dorë për 8 ton drogë dhe 25 policë ishin “detyrim paraqitje” sepse drejtori i kufirit fuste drogen. Turp të keni. Shtet kriminal, mafioz, shtet i korruptuar, a ju vjen turp. Mua më gjetët? Monstra. Sa të jem unë gjallë do ti paguani të gjitha.”
Sipas Margjekës, Gjykata nuk ka asnjë provë për akuzat ndaj saj. Kujtojmë se në kohën kur ishte pjesë e gjykatës së Durrësit vendosi që të mos i jepte mandatin e kryebashkiakes socialistes Valbona Sako, e cila doli nga zgjedhjet njëpartiake të 30 Qershorit.
Gjyqtarja e cila është nën masën e arrestit të shtëpisë, akuzohet për “Korrupsion Masiv”. Dyshohet se në bashkëpunim me bashkëshortin e saj dhe me një avokat, kanë marrë 6 mijë euro për të liruar një të burgosur në Korçë, i cili ishte dënuar për kalimin e paligjshëm të emigrantëve në kufi.
Vetë Margjeka i ka mohuar që prej ditës së parë akuzat dhe është shprehur se i gjithë procesi ndaj saj është i montuar politikisht.(A.M/Faxweb.al)