Ministria maqedonase e Shëndetësisë njoftoi se ka në plan të kërkojë në mbledhjen e qeverisë vendosjen e masës për ta bërë të detyrueshme mbajtjen e maskave mbrojtëse nga qytetarët.
Kreu i saj, Venko Filipçe tha se do të propozojë që shkelwsit e kwtij rregulli, tw gjobiten me 20 euro. “Dua të bëj thirrje për respektimin e plotë të një mase të tillë si dhe mbajtjes së distancës prej dy metrash në ambjente të mbyllura e të hapura”, u shpreh ministri.
Gjatë 24 orëve të fundit në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 19 raste të reja të sëmundjes, ndërsa 126 persona janë shëruar. Numri i përgjithshëm i të infektuarve në vend shkon në 1386.
Vdekjet janë 61. Dy prej viktimave të fundit ishin në moshë të re: një 25 vjecar nga Shkupi, i sëmurë me sindromën Down dhe një 36-vjeçare nga Gostivari, që vuante nga mbipesha. Që prej shfaqjes së virusit, vendi fqinj ka kryer gati 14.800 teste mbi popullatën.
Autoritetet maqedonase e kanë theksuar vazhdimisht se zbutja e masave për sa i përket kufizimit të lëvizjes është e varur ngushtë me disiplinën e qytetarëve për të respektuar rekomandimet që kanë të bëjnë me mbajtjen e maskave dhe distancimin fizik.