Kryeministri Edi Rama deklaroi në emisionin ‘Kjo javë’, se mandati i tretë që ka kërkuar më herët Sali Berisha dhe Fatos Nano, ishin fund i një cikli, ndërsa mandate i tretë i Partisë Socilaiste në këto zgjedhje lidhet me vijimësinë e projekteve të nisura.
Gjithashtu Rama gjatë intervistës kur u pyet se për çfarë do kërkonte ndjesë këtë ditë të pashkëve, ai u kërkoi falje Kuksianëve për traun, pasi kishin të drejtë.
PJESË NGA INTERVISTA
Jeni kryeministër që kërkoni mandatin e tretë. Nuk jeni i pari, këtë e ka kërkuar edhe z. Berisha apo z. Nano por nuk ia kanë arritur. Nëse fitoni, shënoni një rekord historik. E kërkoni këtë mandat nisur nga fakti që vendi sipas jush nuk ka alternativë, apo nga bilanci i realizimit të premtimeve?
Rama: Mandati i tretë ka të bëjë me atë që duhet të vazhdojmë të bëjmë, nuk ka të bëjë, as me të parën, as me të dytën. Dy rastet e mëparshme janë të ndryshme, por sidoqoftë në dy rastet e mëparshme, ka qenë fundi i një cikli, ndërkohë që PS dhe skuadra jonë nuk e ka mbyllur ciklin është një cikël i hapur dhe në çdo drejtim ne kemi punë që duhen çuar para dhe duhen kryer.
Që nga reforma në drejtësi dhe domosdoshmëria për të konsoliduar pozicionin e drejtësisë së re që është në rrezik nëse ndërron drejtimi, tek turizmi ku ne tani kemi mundësinë të hyjmë në një epokë të re me investime të mëdha, në radhë të parë me investimin e madh të portit turistik të Durrësit, por edhe të Vlorës, që janë dy investime që tanimë janë në fazën e zbatimit. Me aeroportet e reja, aeroporti i Kukësit për pak ditë do të jetë i realizuar dhe do të bëhet ulja e avionit nga Britania e Madhe e një grupi sharësish të zellshëm që e kanë përqeshur pafund atë përsëritjen time mbi këtë aeroport.
Aeroporti i Vlorës pati një bllokim të gjatë për shkak të pandemisë dhe faktit që kompanitë u tërhoqën nga gara, më në fund tani kemi një fitues, Behgjet Pacollin së bashku me një konsorcium të një kompanie të mirënjohur turke. Jemi në fazën e fundit të negociatave sipas ligjit dhe të nënshkrimit të kontratës. Menjëherë me nënshkrimin e kontratës të aeroportit të Vlorës, do të lancojmë aeroportin e Sarandës. Ndërkohë që në aeroportin e Tiranës, falë marrjes në zotërim të tij nga kompania shqiptare tanimë do të nisë zbatimi i investimeve për pistën edhe për terminalin e ri.
Ne kur sollëm vaksinat, plani ishte t’i sillnim me një avion të madh ushtarak, nuk mundëm sepse pista nuk na e lejonte këtë gjë, pista e Rinasit. Nuk ka kapacitet për avion të një kategorie të caktuar, ndërkohë ‘Air Albanian’ duam ta çojmë në fluturimet përtej oqeanit dhe për këtë po ashtu na duhet zgjatja e pistës, nuk kemi arritur dot me kompaninë kineze, ishin komplet në botë tjetër.
Po kështu në fushën e energjisë, jemi në fazën ku kemi konsoliduar sektorin, tani kemi dy investime madhore me amerikanët, në Skavicë tjetrin në TEC-in e Vlorës për gazin e lëngshëm. Janë investime që e fusin Shqipërinë në një kategori tjetër se Shqipëria kthehet në eksportues neto të energjisë dhe të gjithë ato para që ne i harxhojmë për të importuar energji nuk do të jenë më para që do të harxhohen por do të mbeten këtu në ekonomi. Janë të gjitha arsyet që e bëjnë mandatin e tretë të domosdoshëm, jo për mua personalisht po për Shqipërinë, për të çuar deri në fund këto punë që kemi nisur dhe për ta çuar Shqipërinë në një nivel tjetër që të jetë në një pozicion që nuk mund të kthehet më pas dhe këto punë nuk mund të zhbëhen më, siç janë bërë në faza të ndryshme të historisë së tranzicionit, por jo vetëm.
Kancelarja gjermane kërkoi ndjesë publike për një vendim jo popullor për mbylljen në prag të festës së pashkëve? Po ju, a ka diçka për të cilën kërkoni ndjesë?
Rama: Unë kam kërkuar ndjesë. Kam kërkuar ndjesë për rastin e Kukësit, sepse u ndërtua një strategji e gabuar. Pavarësisht se nuk isha unë që i kisha bërë llogaritë, kuptova që njerëzit kishin të drejtë dhe kërkova ndjesë. Ndjesa është pjesë e pandashme e një procesi udhëheqjeje kur lidershipi ka karakter.