Familja e 25-vjeçarit Klodian Rasha ka mbjellë sot një pemë ulliri në Parkun “Europa”, teksa shoqërohej nga kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Babai i Klodianit, i cili u vra nga një punonjës i Policisë së Shtetit, falenderoi Veliajn, që sipas tij ia kanë përgjysmuar dhimbjen familjes së tij.
“Të falenderoj që ma ke përgjysmuar dhimbjen, kjo pemë do të shërbejë për brezat e ardhshëm. Tirana është shtëpia jonë, është zemra jonë, dhe të gjithë bashkë duhet të vendosim nga një tullë për ndërtimin e saj. Ajo që duhet të bëjë secili prej nesh është ta mbjelli një lule, faleminderit kryetar për gjithçka, pasi veprime të tilla do t’iu shërbejnë brezave. Edhe djali yt do të jetë krenar kur të shohë punën që ti ke bërë“, u shpreh Qazim Rasha.
“Unë jam vetë baba, dhe ajo është një plagë që nuk mbyllet kurrë, por axha Qazim bëri një gjest mirënjohës, kur kërkoi që ne të mos e cënojmë qytetin tonë. Pa ndihmën tënde ne nuk do të kishim mundur që të ruanim integritetin e qytetit. Sa të jem gjallë dhe sa të kem fuqi, do të insistoj që drejtësia të shkojë deri në fund, për tu siguruar që kjo nuk do të ndodhë më kurrë”, tha Veliaj.
(E.K/Faxweb.al)