E përzgjedhur nga qeveria si pjesë e 100 fshatrave turistikë, Lukova duket se këtë vit nuk do të presë turistë. Edhe pse me një peizazh të admirueshëm si një ndër perlat bregdetare, kjo zonë paraqet probleme serioze që lidhen me infrastrukturën, shërbimin shëndetësor e sigurinë e pushuesve.
Lukova perla e bregdetit të jugut, gjurmët e historisë së saj i ka në thellesite e shekujve. Vetë emri Lukovë do të thotë vend i gjelbëruar, i cili bashkohet në harmoni të plotë në ngjyrën e kaltër të detit Jon, klima bregdetare ndërthuret mrekullisht me atë malorë. E vendosur rreth 21 km larg qytetit të Sarandës në një pozitë mjaft të favorshme gjeografike, Lukova pret çdo vit turistë, edhe pse rruga që të çon drejt plazhit lë shumë për të dëshiruar.
Qeveria Shqiptare e ka vendosur Lukovën në projektin e 100 fshatrave, për të cilët është planifikuar zhvillim rural. Por sa është realizuar ky plan projekt për Lukovën? Rruga e prishur, ujërat e zeza të dala në sipërfaqe janë ana tjetër e medaljes që prishin imazhin e kësaj perle bregdetare por shqetësojnë edhe turistët që zgjedhin ujërat e Lukovës për të pushuar. Gjendja vjen e përkeqësohet kur këto ujëra të zeza pasi grumbullohen në një kanal derdhen në det.
Mungesa e investimeve në këtë zonë ka çuar vit pas viti në një ulje të ndjeshme të numrit të turistëve. Punonjësit e një subjekti turistik, i cili operon në Lukovë që prej 10 vjetësh tregon sesi mungesa e investimeve edhe kujdesit të stukturave përkatëse kanë cuar gjithmonë e më shumë në ulje të numrit të turistave. Edhe pse subjektet turistike janë shtuar vit pas viti, mungesa e vëmendjes nga projektet zhvillimore duket e madhe. Në një dite fund korriku në pikun e drekës tavolinat e restoranteve jane të boshatisura.
Edhe Roja bregtetare mungon në Lukove, kullat janë ndërtuar por janë bosh. Pavarësisht se ndodhet nën vëmendjen e programit për 100 fshatrat, vizitorëve të Lukovës nuk u sigurohet as jeta ndërkohë që janë duke pushuar e duke u larë në det. Shpella e Lukovës është një nga bukuritë me të mëdha të jugut, duke tërhequr çdo vit gjithnjë e më shumë turistë e operatorë të rinj. Gjatë gjithë segmentit të Shpellës së Lukovës roja bregdetare mungon. Të detyruar nga mungesa e vëmendjes së institucioneve përkatëse stafet e lokaleve aty pranë kujdesen në të njëjtën kohë edhe për sigurinë e pushuesve.
Në kulmin e sezonit turistik, atëherë kur fluksi i turistëve shqiptarë por edhe atyre të huaj është në nivelin më të lartë të mundshëm se në çdo periudhë tjetër të vitit shërbimi spitalor duhet të jetë në shërbim 24 orë në 7 dite të javës , por kjo nuk përkon me situatën aktuale të qendrës shëndetësore Lukovë.
Qëndra spitalore e Lukovës u ndërtua me qëllimin për t’ju ardhur në ndihmë turistëve dhe banorëve të cilët do të kishin nevojë imediate për ndihmë spitalore, duke shmangur kështu udhëtimin e lodhshëm në spitalin e Sarandës për të marrë ndihmën e parë.
Ajo ç’ka mund të gjejnë ata që kanë nevojë për ndihmën e parë në Lukovë, është vetëm një infermier. Por çfarë mund të ndodh me pacient të cilët kanë pësuar trauma gjatë hedhjes në det apo aksidente rrugore që në këtë zonë nuk janë të pakta?
Lukova per turizmin ka qene nje thesar i pazbuluar, një mister i natyrës, një destinacion i pazbuluar dhe një vend në të cilin dora e njeriut duhet të zhvillonte. Ti kthente këto resurse në të mirë të banorëve aty, e në të ardhura për turizmin. Lukova sot, sapo kalon tabelën që të prezanton me fshatin turistik, të pret me një rrugë një kalimshe, me kaos automjetesh në hyrje të saj dhe herë pas here aksidente. Për të shkuar deri në bregun e detit rrugës do të ndeshesh edhe kanale që zbrazen në rrugë.
Një program i integruar rural që do të ndihmonte zonën, do të sillte investime, do përmirësonte turizmin, dhe do e kthente Lukovën në një destinacion të mirëfilltë. Lukova e ndërtuar si me magji nga dora e Zotit duket sikur jep shpirt.
(E.K/Faxweb.al) ;