LSI nuk është paraqitur në mbledhjen e sotme të Kolegjit Zgjedhor, ku është duke u diskutuar mbi pretendimet e opozitës për qarkun e Shkodrës, ku kërkohet pavlefshmëria e zgjedhjeve, për shkak se sipas PD-së gara nuk ka qenë e barabartë.
Përfaqësuesi i LSI-së Kaziaj, nuk është paraqitur në seancë dhe ka kërkuar shtyrjen e saj me pretendimin se ishte duke ndjekur një proces tjetër penal. Por kërkesa e tij për shtyrjen e seancës është hedhur poshtë nga Kolegji zgjedhor, me pretendimin se nuk është i bazuar në ligj dhe në prova.
Në final Kolegji vendosi rrëzimin e kërkesës së përfaqësuesit të LSI-së dhe vazhdimin e seancës, ku përfaqësuesi i PD-së Marash Logu është duke paraqitur argumentat se pse sipas tyre zgjedhjet në qarkun e Shkodrës duhet të cilësohen të pavlefshme.
Kujtojmë se më herët PD kërkoi shpalljen e pavlefshmërisë në 9 qarqe, por asnjë prej kërkesave të saj nuk u pranua nga KAS. Derimë tani edhe Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar pretendimet e opozitës, duke i çuar në këtë mënyrë zgjedhjet drejt një njohje të plotë institucionale.
Mbetet i paqartë qëndrimi që do të ketë PD dhe opozita në tërësi me Kuvendin e ardhshëm, që do të nisë punë nga shtatori, ndërsa ka pasur sinjale të ndryshme se mund të ketë dhe një bojkot të tij, sa kohë që ajo që ndodhin në 25 Prill, vijon që të konsiderohet një masakër elektorale.
(E.K/Faxweb.al)