Sasia prej 2.6 ton lëndë narkotike e kapur në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit pak ditë më parë nga policia malazeze është ngarkuar në Lushnjë. Droga ishte e fshehur mes fruta-perimeve në një kamion që kishte si destinacion Gjermaninë.
Përveç Elvis Çalik të arrestuar nga policia malazeze, ndaj të cilit Gjykata e Lartë atje vendosi masën e sigurisë me 30 ditë burg, në Shqipëri janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, përkatësisht Arlind Tabaku dhe Përparim Shurdhi. Autoritetet malazeze prangosën dy ditë më parë, shoferin e kamionit, Ervis Çaliku, 40 vjeç.
Kujtojmë se një tjetër person u arrestua ditën kur u sekuestrua droga, ndërsa bëhet fjalë për shoferin Elvis Çalik. Policia e Shtetit ka bërë me dije se pas shkëmbimit të informacioneve me homologët malazezë, u bë e mundur zbardhja e kësaj ngjarjeje, identifikimi dhe lokalizimi i dy prej personave të përfshirë në tentativën për trafikimin e sasisë së marijuanës të kapur në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit (Bozhaj).
Nga veprimet e para rezultoi se kamioni me drejtues Elvis Calik ishte ngarkuar në magazinën në pronësi të Përparim Shurdhit, i ndihmuar nga Arlind Tabaku dhe personi i shpallur në kërkim. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar prova të shumta që do të çojnë në dokumentimin dhe zbardhjen e plotë me prova ligjore të kësaj veprimtarie kriminale. Vijon puna intensive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe homologët, për zbardhjen e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të.
(M.Q/Faxweb.al)