Ndryshe nga koha që kishte shkarkuar, 30 minuta, Edi Rama e ka mbyllur shpejt fjalën e tij për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, për të cilin tha se ndjen keqardhje, por i ka humbur të gjitha shanset që të kthehet në binarët e kushtetutshmërisë.
Sipas Ramës, Meta ka shkelur Kushtetutën, dhe rolin e garantit të unitetit kombëtar, ndërsa shtoi se ka cënuar marrëdhënien me SHBA-të dhe me përfaqësuesit e tjerë të selive diplomatike në Tiranë.
Rama:
Ilir Meta e ka tradhëtuar misionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka poshtëruar Kushtetutën, e ka shembur institucionin e garantit të unitetit kombëtar, ka dhunuar kufirin jetik të ndarjes së pushteteve, ka turpëruar Shqipërinë dhe popullin shqiptar në marrëdhënien krejt speciale me SHBA-të.
Ilir Meta ka shkarravitur fytyrën e shtetit shqiptar në marrëdhënie me përfaqësitë diplomatike, Ilir Meta i ka hunbur plotësisht dhe përfundimisht të gjitha shanset që i janë dhënë bujarisht në mënyrë të përsëritur për tu kthyer në binarët e arsyes morale dhe ligjore.
Shqipëria nuk mund ta mbajë më në kurriz Ilir Metën, duke u bërë gazi i botës. Keqardhje për mikun tonë të dikurshëm Ilir, por Meta i sotëm nuk mund të mbajë më statusin e lartë që i dha Kuvendi. Ilir Meta ka mbaruar punë me rolin që i dha Kuvendi, tani të flasë Kuvendi me votë.
Paralelisht me fjalën e Ramës i cili tha se 90% e shqiptarëve nuk e duan më Ilir Metën, deputetët janë duke votuar në mënyrë të fshehtë për shkarkimin apo jo të presidentit të republikës, që në fakt do të shënonte një precedent në këto 30 vite të demokracisë.
Menjëherë pas fjalës në Kuvend, Rama u largua nga dera e pasme, duke shmangur çdolloj përbaljje me gazetarët. Për të shkarkuar Metën është e nevojshme vota e 94 deputetëve, që duke parë formacionet dhe renditjen e të ashtuquajturës opozitë parlamentare, janë të arritshme.
Çështja e shkarkimit të presidentit do të jetë subjekt më pas i Gjykatës Kushtetuese, e cila ka 3 muaj kohë për t’u shprehur në lidhje me aktin e parlamentit në largim.
(E.K/Faxweb.al)