Pesë raste të reja janë shënuar ditën e sotme në qytetin e Elbasanit, ku pas mbylljes së pavijonit të Gjinekologjisë, COVID-19 është përhapur dhe tek bluzat e bardha, por ka prekur gjithashtu dhe një fëmijë.
Bëhet e ditur se ndër rastet e reja në Elbasan është ai i infektimit të një mjeku reanimator, i cili ka rezultuar pozitiv ndaj testit të COVID-19.
Fatkeqësisht veç mjekut kanë rezultuar të prekur edhe familjarët e tij. Pozitiv ndaj testit kanë rezultuar dhe bashkëshortja dhe vajza e mjekut në Elbasan.
Sakaq bëhet me dije se ndër rastet e reja të konfirmuara ditën e sotme, rezulton të jetë dhe një mjek pediatër, për të cilin ende nuk dihet se kush ka qenë shkaku prekjes nga COVID-19.
Ditën e sotme në 24 orët e fundit janë regjistruar 82 raste të reja me COVID-19. Ndërkohë që është rritur ndjeshëm numri i personave të shtruar në spital, ku ka shkuar në 84 dhe 6 pacientë janë të intubuar. Po ashtu 11 pacientë janë në terapi intensive.
Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 30 raste në Tiranë, 11 në Shkodër, 6 në Kukës, 5 në Elbasan, nga 4 raste në Bulqizë, Krujë, Berat, Malësi e Madhe, nga 3 raste Kavajë, Përmet, 2 në Korçë, nga 1 rast në Pukë, Mirditë, Kamëz, Gjirokastër, Tepelenë, Dibër.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 41 qytetarë, duke e çuar në 1832 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Në vendin tonë aktualisht janë 1273 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.