Policia e Shtetit ka dhënë informacionin zyrtar sa i takon ngjarjes makabre që ndodhi mbrëmjen e sotme në Fier, aty ku një fëmijë vetëm 8 vjeç është rrëmbyer dhe vrarë nga komshiu i tij.
Bëhet fjalë për 38 vjeçarin Klodian Çalamani, i cili ka vrarë vogëlushin dhe e ka groposur duke e mbuluar me baltë dhe gjethe në oborrin e shtëpisë së tij.
Njoftimi
Fier
Informacion paraprak
Sot rreth orës 15:30 është bërë njoftim nga shtetasja F. V se nuk është kthyer në banesë djali i saj i vitlindjes 2013.
Me marrjen e njoftimit shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë bërë shpalljen në kërkim dhe në mënyrë të menjëhershme nga veprimet në terren, duke vlerësuar maksimalisht situatën dhe rëndësinë e saj, kanë marrë informacion, kanë punuar në grumbullim dhe administrim të provave dhe kanë bërë të mundur gjetjen e vendit të dyshuar ku mund të ndodhej fëmija i humbur.
Mbi bazën e vlerësimit të provave, në banesën e shtetasit K. Ç., 38 vjeç, pas kontrollit, është bërë e mundur gjetja e trupit të fëmijës së dyshuar i humbur, i mbuluar me baltë.
Menjëherë është bërë kapja dhe shoqërimi i autorit të dyshuar në Komisariatin e Policisë Fier dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier po punohet për kryerjen e veprimeve të plota procedurale, zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe motiveve të saj.
(E.H/Faxweb.al)