Policia ka identifikuar personin që u gjet i pajetë në rezervuarin e Gjançit në Korçë këtë të diel. Bëhet fjalë për shtetasin 25 vjeçar me inicialet F.Xh., nga Lushnja.
Policia bën me dije se ky person ka qenë i dënuar për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim. Në datë 21 maj të këtij viti, gjykata ndryshoi masën e sigurisë nga “Arrest me burg” në “Arrest shtëpie”.
Njoftimi:
Korçë/Informacion shtesë
Në vijim të informacionit paraprak, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në rezervuarin e Gjançit, në Korçë, ku mesditën e sotme u konstatua pa shenja jete një shtetas, ju informojmë se:
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, u bë e mundur identifikimi i viktimës i cili është shtetasi F. Xh., 25 vjeç, banues në fshatin Plug, Lushnjë (i dënuar më parë për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim).
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, me vendimin e datës 21.05.2021, kishte caktuar për këtë shtetas ndryshimin e masës së sigurisë, nga “Arrest në burg” në “Arrest në shtëpi”.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, në bashkëpunim edhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
(E.H/Faxweb.al)