Policia ka arrestuar mengjesin e sotem dy nga autorët e dyshuar të plagosjes se djeshme te Ish-Parku i Autobusëve në Tiranë, dhe është shpallur në kërkim autori i tretë.
Të arrestuarit janë Farjon Palushi 27 vjeç dhe Daniel Manushi 27 vjeç si dhe është shpallur në kërkim Islam Xhetani 28 vjeç. Në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë dhe një nga të plagosurit, Aleksander Nikolla, 28 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.
Policia arriti të gjente dhe armën e zjarrit të përdorur në vendngjarje nga autorët, ndërkohë po kryhen veprime të mëtejshme proceduriale.
Kujtojmë se dje autorët e ngjarjes kanë qenë duke lëvizur me motor kur kanë qëlluar me armë ndaj Aleksandër Nikollës dhe Xhulio Velës, duke u larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Të rinjtë dyshohet se janë të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike në doza të vogla, e pikërisht kjo dyshohet dhe arsyeja e sherrit mes tyre që degradoi më pas dhe në përdorimin e armëve.
Njoftimi i Policisë:
Zbardhet ngjarja e ndodhur pasditen e djeshme, ku mbetën të plagosur me armë zjarri shtetasit A. N. dhe Xh. V.
Brenda pak orëve kapen e vihen në pranga 2 nga autorët e dyshuar të ngjarjes, si dhe shpallet në kërkim autori i tretë i ngjarjes, të tre me precedent të mëparshëm penal, njëri prej tyre me masë sigurie “Arrest në shtëpi”.
Në pranga edhe njëri prej të plagosurve, për veprën penale “Moskallëzim krimi”.
Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë, e dyshuar e përdorur në ngjarje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Tiranë, pas një pune intensive hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur pasditen e djeshme, në kryqëzimin e rrugës “Ndre Mjeda” me rrugën “Frosina Plaku”, kanë bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorëve të dyshuar, konkretisht shtetasit:
Farjon Palushi, 27 vjeç, aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
Daniel Manushi, 27 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë.
Si dhe u shpall në kërkim si autor i tretë i dyshuar i ngjarjes, shtetasi Islam Xhetani, 28 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë.
Këta shtetas, ditën e djeshme, rreth orës 17:00, në kryqëzimin e rrugës “Ndre Mjeda” me rrugën “Frosina Plaku”, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë plagosur me armë zjarri shtetasit Aleksander Nikolla, 28 vjeç dhe Xhulio Vela, 26 vjeç, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të çastit, për motive të dobëta, midis autorëve të dyshuar dhe shtetasve të plagosur.
Në vijim të veprimeve, u bë dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Aleksander Nikolla, 28 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.
Gjithashtu, falë veprimeve të shpejta, shërbimet e Policisë bënë të mundur gjetjen e armës së zjarrit pistoletë të përdorur në vendngjarje nga autorët e dyshuar.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
(E.D/faxweb.al)