Janë identifikuar dy autorët e përplasjes më armë zjarri në Vlorë. Burime bëjnë me dije se autorët e ngjarjes janë E.XH. dhe Sh.L., ndërsa policia e Vlorës, Delta Force e FNSH e Fierit janë vënë në ndjekje të tyre. Po ashtu mësohet se janë ngritur posblloqe për kapjen e autorëve.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lokalin e Arben Beqiri, i cili ka mbetur i plagosur në gjendje të rëndë për jetën për shkak të plagëve në gjoks dhe bark. Sipas policisë 2 të plagosurit e tjerë: djali i Arben Beqiri, Ergest Beqiri 20 vjeç dhe nipi, Nesim Hodaj ndodhen jashtë rrezikut. Kujtojmë se, ngjarja e rëndë që ndodhi pak minuta më parë për motive banale, pra një kalë, duke përfunduar më pas në të shtëna armësh ka tronditur plazhistët e zonës.
“Dëgjuam të shtëna, janë qëlluar edhe makina. Dëgjuam rreth 20 të shtëna, si në luftë”, shprehet një prej dëshmitarëve.
Burime bëjnë me dije se kjo nuk është hera e parë që Beqiri konfliktohet me persona të tillë. Nga informacionet mësohet se një situatë e tillë ka ndodhur edhe një herë tjetër.