Sokol Cikalleshi ka rezultuar pozitiv me COVID-19 dhe humbet ndedhjen me Polonine! Pas Gjimshtit që theu dorën, Balajt të dëmtuar dhe Çekiçit me kartonë, do të mungojë edhe sulmuesi Cikalleshi.
Sulmuesi Sokol Cikalleshi ka rezultuar pozitiv ndaj COVID në testet që kryhen një ditë para sfidave dhe për këtë arsye është izoluar menjëherë nga pjesa tjetër e ekipit.
Ai nuk ka marrë pjesë në stërvitjen e sotme të kuqezinjve pasi tashmë nuk llogaritet në planet e teknikut italian për sfidën ndaj Levandovski dhe shoket e tij.
Njoftimi i FSHF:
Sulmuesi Sokol Cikalleshi do të mungojë në ndeshjen vendimtare të Kombëtares ndaj Polonisë, që luhet të martën në “Air Albania” e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se futbollisti kuqezi ka rezultuar pozitiv në testet me tampon të kryera nga Kombëtarja sot. Pas daljes së analizave Cikalleshi është larguar nga grumbullimi për të nisur karantinën dhe nuk ka marrë pjesë në seancën e sotme stërvitore.
Përveç tij, të gjithë lojtarët e tjerë dhe stafi teknik kanë rezultuar negativë. Kësisoj, trajneri Edy Reja do të ketë katër mungesa në sfidën ndaj Polonisë dhe më konkretisht Bekim Balaj e Berat Gjimshiti të dëmtuar, Endri Çekiçi i skualifikuar dhe Sokol Cikalleshi.
Çikalleshi është rasti i dytë pozitiv pas Hoxhallarit në këtë grumbullim mes kuqezinjve, ndërsa i infektuar ka rezultuar që në fillim të grumbullimit edhe fizioterapisti Voci.
(E.H/Faxweb.al)