Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare shkrimtari disident Mehmet Myftiu.
Mehmet Myftiu është shkrimtar i shquar disident, themelues i letërsisë realiste pas Luftës së Dytë Botërore. Shkrimtari Mehmet Myftiu njihej ndryshe si Prometeu shqiptar në luftën për liri nga pushtuesit nazi-fashistë.
Kundërshtar i dogmave të metodës sovjetike, të quajtur “realizmi socialist”, Myftiu vuajti egërsinë e dy diktaturave: të diktaturës naziste, që e dënoi me vdekje në kampin e internimit në Prishtinë dhe të diktaturës komuniste që e dënoi, i hoqi të drejtën e të shkruarit dhe e bëri cigare-shitës.
Vitin e kaluar, 2018, nën kujdesin e shkrimtares Besa Myftiu, vajza e Metit, u botua dhe u përurua libri me poezi me titullin “Nuk i dua thinjat”. Libri “Nuk i dua thinjat” përmbledh 21 poezi dhe ka 34 faqe, por në të gjen xhevahire poetike të skalitura me mjeshtëri nga shkrimtari-poet Myftiu.
Poezitë e përfshira në këtë libër mbajnë një tregues mjaft domethënës, vend-ndodhjen e internimit.
Konkretisht: “Nuk i dua thinjat”, internim, Shtyllas, 1954; “Nënës”, internim, Shtyllas, 1954; “I ikuri”, internim, Shtyllas, 1954; “Lamtumirë”, internim, Shtyllas, 1954; “Natën vonë”, internim, Shtyllas, 1954; “Shkrepi dielli”, internim, Shtyllas, 1954.
Meti shkruante poezi edhe kur ishte i rrethuar me tela me gjemba nën kërcënimin e bajonetave të rojeve të kampit të internimit, sepse letërsia, poezia ishte njëherazi misionare, thirrje për liri dhe drejtësi shoqërore dhe individuale. Ndërsa “kolegët” e Metit në Tiranë harboheshin në klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve, rrufisnin nga 2-3 kafe ditën dhe krenoheshin para kurtizaneve, se vjershat e tyre i kishte pëlqyer madje edhe vetë “I madhi”.