Kryeministri Edi Rama ka mbyllur takimin e sotëm të çeljes së fushatës me shprehjen e tij që përdor gjithmonë “më të mirë se ne nuk ka”.
Ndër të tjera, Rama i uron shqiptarët që “paccin një natë të bardhë sonte”, kur dhe nisi zyrtarisht fushata elektorale e 25 prillit, “nga 30 netë të bardha gjithsej deri në ditën kur shqiptarët do të shkojnë drejt qendrave të votimit”.
“Meqë ora po afron, që ne të shkojmë të gjithë në shtëpi, unë dua t’iu them të gjithë shqiptarëve se nuk jam i rënë nga qielli, për shumëkënd kam shumë të meta, për shumë të tjera kam shumë të mira, por një gjë është e sigurt, unë jam këtu bashkë me gjithë ju, jo për veten, por për emrin tim, për trashëgiminë më të rëndësishme që një baba ju lë fëmijëve të vetë, kujtimin e tij, dhe natyrisht për të nderuar të gjithë ata që përpara meje, qofshin të një gjaku si familja, qofshin të një gjaku si shqiptarë, qofshin të dy apo disa brezave më parë, kanë bërë të njëjtën gjë, sepse kanë besuar në të njëjtën gjë, dhe sigurisht që në këtë botë, ku shumëkush mendon se janë të gjithë njësoj, në fakt janë ata që mendojnë ndryshe, që bëjnë diferencën. Unë jam këtu bashkë me skuadrën e PS për ta ndryshuar me se s’bën këtë vend, për të provuar me se s’bën që ky vend bëhet, për të treguar me se s’bën që puna është ajo që vlen dhe ato që sjell puna janë ato që mbeten. Padiskutim që në vetvete as unë dhe askush këtu, apo të gjithë ne bashkë, nuk jemi zgjedhja më e mirë, por në realitetin e jetës së përditshme, më të mirë se ne nuk ka.
Të gjithëve duhet t’iu mjaftojnë ato që kanë parë, ato që kanë jetuar në të shkuarën, që kur t’i shikojnë këta njerëz të së shkuarës, që janë shfaqur tani si një tabor me një dhëndër absurd përpara, t’iu thonë ‘jo’, shans tjetër për ju ‘jo’, shans tjetër për mungesë karakteri në lidership, në sjellje, në vendime, në aksion, të një skuadre që cfarë thotë sot nuk bën nesër ‘jo’, dhe jo sepse ne jemi e keqja më e vogël, po sepse ne jemi e vetmja e mirë. PS më 25 prill do të fitojë shumicën absolute. PS më 25 prill do të realizojë objektivat e saj. PS më 25 prill do të ketë mandatin e tretë, jo për vete, po për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë. Të gjithë ne së bashku do të bëjmë në katër vitet e ardhshme më shumë se c’kemi bërë në të gjitha vitet tjera së bashku, përfshirë dhe vitet tona këtu, sepse ne dimë të ripërtërihemi, të vetëkorrigjohemi, dhe dimë se nuk jemi të rënë nga qielli, nuk jemi engjëj. Ne jemi shqiptar dhe që kur jemi krijuar, kemi pasur të parën Shqipërinë. S’ka më ‘natën e mirë’, por paçi të bardhë natën e bardhë të këtyre 30 netëve të bardha, për atë ditë kur shqiptarët do të vijnë dhe do na japin mundësinë të vazhdojmë t’ia zbardhim faqen Shqipërisë”, përmbylli fjalën e tij kryeministri.
(E.H/Faxweb.al)