Policia e Shtetit vijon kontrollet në terren për qytetarët që nuk e zbatojnë urdhrin për mbajtjen e maskës në cdo ambient përvec shtëpisë. Gjatë 24 orëve të fundit, janë konstatuar 341 qytetarë pa maska, të cilët janë gjobitur me masën administrative 3000 lekë.
Ndërkohë, 11 persona janë shoqëruar pasi nuk iu bindën urdhrit të punonjësit të Policisë për të treguar dokumentin e identifikimit për të vendosur gjobën.
Njoftimi i plotë: Vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për monitorimin e zbatimit të masave anticovid.
Punonjësit e Policisë vijojnë kontrollet në terren, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.
Edhe gjatë ditës së sotme, shërbimet e Policisë, gjatë kontrolleve, kanë konstatuar se shumica e qytetarëve i kishin vendosur maskat mbrojtëse.
Gjatë kontrolleve janë konstatuar edhe qytetarë që nuk i kishin vendosur maskat dhe për këto raste, shërbimet e Policisë në të gjithë vendin kanë vendosur 341 masa administrative me vlerën 3.000 lekë secila.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 11 shtetas që nuk i janë bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të treguar dokumentin e identifikimit, me të cilin punonjësi i Policisë duhet të plotësonte fletën e gjobës për shkeljen e konstatuar.
Policia e Shtetit nisur edhe nga shtimi i rasteve të personave të infektuar, por edhe për të monitoruar sa më mirë zbatimin e masës më të fundit për vendosjen e detyrueshme të maskës, ka rritur prezenën e shërbimeve të Policisë me uniformë dhe të punonjësve të Policisë Kriminale në territor, të cilët vijojnë patrullimet dhe kontrollet në të gjithë vendin.
Policia e Shtetit falënderon edhe njëherë qytetarët që respektojnë këtë masë mbrojtëse dhe apelon që të gjithë të vendosin maskat mbrojtëse, pronarët e lokaleve të respektojë protokollet e sigurisë dhe të mos kundërshtojnë urdhrin e punonjësve të Policisë, pasi Policia e Shtetit është në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, ndaj dhe është i rëndësishëm zbatimi i kësaj mase mbrojtëse sepse parandalon infektimin me COVID-19. (A.M/Faxweb.al)