Rreth 1000 vaksinat që erdhën nga vendet partnere po ruhen në ISHP në temperaturën -80 gradë. Në stadiumin “Air Albania”, ku po kryhet procesi i vaksinimit do të mbërrijnë aq vaksina sa është numri i personave që do të vaksinohen.
Kur dërgohen, janë gjithmonë të shoqëruar nga efektivë policie për shkak të rëndësisë që kanë.
Më parë, çdo gjë ishte mister pasi kryeministri Edi Rama tha gjatë konferencës se janë disa vende partnere në BE që kanë treguar bashkëpunim për të siguruar disa doza vaksine dhe për Shqipërinë, deri në javën e tretë të Janarit, kur do të mbërrijnë dhe dozat drejtpërdrejtë nga kompania Pfizer, me të cilën qeveria ka marrë dakordësinë që të sigurojë në total 500 mijë vaksina.
Deri në javën e tretë të Janarit, Rama tha se do të vijnë dhe 2 mijë doza të tjera vaksine nga shtetet partnere, ndërkohë që përjashtoi drejpërdrejtë mundësinë që ato të mbërrijnë nga Greqia, ndryshe nga sa u fol disa ditë më parë në media.
Ndërkohë që pas javës së tretë të Janarit, partia e parë që do të mbërrijë nga Pfizer do të jetë 10 mijë e 700 doza, që sigurisht do të shkojnë për vaksinimin e stafeve mjekësore në të gjithë vendin, që janë edhe kategoria më e rrezikuar në përballjen me Covid.
Gjatë ditës së sotme në ambientet e Air Albania u bë vaksinimi i 50 personave, mes të cilëve ishte shefja e Infektivit Najada Çomo, mjekët Tritan Kalo dhe Pëllumb Pipero, dhe vetë Edi Rama, i cili tha se vaksina në Shqipëri erdhi në një kohë rekord dhe është meritë vetëm e punës së tij si kryeministër.