Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku njoftoi se ditën e sotme do të rinisin udhëtimet esenciale dhe emergjente nga aeroporti ‘Nënë Tereza’, ndërkohë që udhëtimet e pasagjerëve u njoftuan se do të fillojnë nesër.
Paraprakisht u raportua se nga aeroporti i Rinasit pritet të kryhej që pasditen e sotme udhëtimi i parë komercial i pasagjerëve për në Dubai.
Mësohet se udhëtimi drejt Dubait nuk do të kryehet me nisje nga Rinasi, por nga aeroporti i Podgoricës, ku udhëtarët do të shkojnë me autobus për aty.
Ndërkohë që të gjitha fluturimet ë pasagjerëve do të rifillojnë mëngjesin e nesërm.
“Në këto momente në aerportin e Rinasit do të nisin fluturimet esenciale. Ju njoftoj se me një përpjekje shumë të madhe kemi arritur që të ruajmë sasinë e madhe të vaksinave që do të vijnë sot pasdite në
Për momentin nuk do të ketë fluturime komerciale u bëjmë me dije të gjithë qytetarëve, që sipas të gjitha planeve tona, pritet që të nisin nesër fluturimet për udhëtarët.
Ka qenë një plan i organizuar për të pasur një bllokim deri ditën e zgjedhjeve, janë marrë të gjitha të dhënat që të nisin hetimet më në detaje për këtë plan. Po punojmë që të kthejmë gjithçka në normalitet.
Duhet të jemi të qartë në këtë pikë, se do të nisin të ulen në pistë fluturimet humanitare, shendetësore, emergjencat , fluturimet ushtarake, fluturimet shtetërore dhe fluturimet diplomatike”, tha Balluku.
Pezullimi i punës nga ana e kontrollorëve ajror solli mbylljen e aeroportit ‘Nënë Tereza’ mëngjesin e ditës së djeshme, ndërkohë që nuk dihet ende si u bë zgjidhja e ngërçit dhe ku u siguruan kontrollorët zëvendësues. Qeveria ka zgjedhur të mbetet hermetike mbi procedurën e sigurimit të kontrollorëve, pagën e tyre apo dhe nëse i përmbushin kriteret e sigurisë.