Regjisori Edmond Budina, ka deklaruar mbrëmjen e djeshme se beson në një vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese për sa i përket çështjes së shembjes së Teatrit Kombëtar.
“Ishte seanca e radhës në Gjykatën Kushtetuese, u bënë parashtrimet e palëve, u diskutua themeli i çështjes. Secila palë paraqiti provat e veta. Ishte shumë i rëndësishëm fakti që ne ishin brenda dhe e pamë se si u zhvillua debati. Më ka bërë shumë përshtypje fakti që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kishin një njohje të thellë të dosjeve voluminoze që ne kemi dorëzuar qoftë në SPAK, qoftë në Gjykatën Kushtetuese. Jam i bindur që po e gjykojnë çështjen me detaje. Kjo më bëri të besoj që edhe vendimi që do të japin do të jetë shumë i drejtë. Ka një pretendim nga ana e qeverisë që kjo çështje nuk i takon Gjykatës Kushtetuese, sipas tyre i përket Gjykatës Administrative. Për mua është një fyerje dhe për Gjykatën Kushtetuese që ti parashtron çështje të këtij lloji, ti je në gjykim dhe nuk e respekton këtë Gjykatë. Si mundet këta juristë, avokatë të Këshillit të Ministrave të vijnë dhe të thonë kjo çështje nuk i përket Gjykatës Kushtetuese?” tha Budina.
Më tej, regjisori tha ne Ora News nuk mund të bëhet shtet duke mos dëgjuar zërin e qytetarëve.
“Ky është një shtet që e ka marrë ferra uratën. Nuk mund të bëhet shtet duke diktuar çdo gjë, duke mos dëgjuar zërin e qytetarit. Këtë e pashë të vërtetuar në Gjykatën Kushtetuese, për mos parë argumentet që nxirrnin. Arsyetimi ishte shumë bajat dhe banal. Të arrijë përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave dhe të thotë që Teatri Kombëtar u shemb po garderroba ishte hequr, është jo vetëm turp po nuk e kuptoj se si kanë guximin këta njerëz të thonë këtë. Nëse e hapim videon shihet se si fadroma i bie kostumeve të Teatrit Kombëtar dhe i fundos atje.” tha Budina.
(E.H/Faxweb.al)