Komisioni i vlerësimit të Kandidatëve për deputetë pranë PD-së ka reaguar përmes një deklarate për përfundimin e fazës së parë të përzgjedhjes, ku thotë se janë 326 emra që i kanë kaluar Kryesisë.
Edhe pse dje u tha se mes të përjashtuave janë edhe disa emra të njohur ish-deputetësh, Komisioni tregohet tepër i rezervuar për të treguar se cilët janë ata. Mes emrave që përfliten se nuk e kanë kaluar garën në fazën e parë, janë edhe Ervin Salianji, apo Xhemal Gjunkshi e Nada Meçorapja. (Lexo edhe ketu lajmin)
Deklarata e plotë e Komisionit:
Komisioni i vlerësimit të Kandidatëve pranë PD-së përmbylli dje procesin për përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe vendore. Ky proces, i zhvilluar për herë të parë në Shqipëri, është vlerësuar pozitivisht nga anëtarësia e PD-së, opinioni publik dhe mediat. Komisioni e vlerëson procesin në tërësi si një akt emancipues në politikën shqiptare.
Komisioni e ndau punën në 3 faza: nga 03 gusht 2020 deri ne 22 tetor 2020. Pas një pune intensive dhe voluminoze komisioni përfundoi vlerësimin për 3593 kandidatë të propozuar, në një listë përfundimtare prej 326 kandidatësh të propozuar për përfaqësim politik në zgjedhjet e ardhshme politike apo lokale.
Komisini, i dorëzoi sot Kryetarit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të PDSH, listën përfundimtare të kandidatëve për ndjekjen e procedurave të mëtejshme sipas Statutit.
Përfitojmë nga rasti për të falenderuar anëtarësinë për pjesëmarrjen masive në votime, strukturën e PD-së, përfaqësuar në këtë proces përzgjedhjeje nga Sekretariati teknik, si dhe kandidatët e propozuar që ndihmuan realizmin e këtij procesi transparent, qytetar dhe të përgjegjshëm.
(E.K/Faxweb.al)