Pedagogu i Universitetit Politeknik, Klement Qerimi ka humbur jetën në moshën 47-vjecare pasi u infektua me koronavirus. Për disa ditë qëndroi në intubim, por nuk ia doli të mposhtte sëmundjen. Lajmin e hidhur e konfirmuan miqtë e tij në rrjete sociale, ndërsa pritet të raportohet në përditësimin e Ministrisë së Shëndetësisë ditën e nesërme.
Kujtojmë se Klement Qerimi doli në media pas tërmetit të 26 nëntorit, ku fatkeqësisht përveç shkatërrimit të banesës, dëmtoi hundën dhe syrin. Nga shembja e banesës, ai pësoi dëme të mëdha në retinën e syrit të djathtë dhe rrezikonte të humbte shikimin, ndaj kërkoi ndihmën e shqiptarëve për të kryer dy operacione që arrinin në vlerën 4000 euro.
Në shkrimet e miqve të tij në rrjete sociale, profesori konsiderohet si një besimtar i fesë së krishterë, i cili ishte i gatshëm për të ndihmuar cdo njeri. Ishte pastori Gentjan Dervishaj që dha lajmin e hidhur, që disa ditë më parë kishte bërë lutje që të shërohej pedagogu pasi ishte shtruar në spital me temperaturë dhe i ishte bllokuar një nga mushkëritë.
“Shume te dashur, me shume hidherim jap kete lajm, vellain yne ne Krishtin, profesor dhe pastor Klement Qerimi ka ndruar jete pas intubimit te tij dje ne dark pershkak te covid-19. Neser në 14:00 bëhet ceremonia mortore në sharr! Gjithe Lutjet dhe dhembushuria e Perendise per Anilen dhe dy femijet e tij”, shkroi Dervishaj.
“Le te lutemi per vellain tone Klement Qerimi. Eshte ne spital qsut me 40 temp dhe bllokim te nje mushkrie,”- shkruante Dervishaj disa ditë më parë.(A.M/Faxweb.al)