Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka folur në lidhje më krijimin e qeverisë.
Sipas tij urgjenca ekziston për ta luftuar pandeminë, por nuk ka ekzistuar për ta rrëzuar qeverinë dhe aq me pak për të bërë ndonjë lloj manipulimi për qeveri të re siç ka aluduar presidenti.
Ai tha se nuk do t’i përgjigjet menjëherë kërkesës së presidentit, Hashim Thaçi për dërgimin e emrit të mandatarit për formimin e qeverisë, sepse qeveria e tij është shumë e zënë në luftimin e pandemisë me koronavirus.
Deklarata e Kurtit
“Ne nuk duam që të mos komunikojmë me presidentin, jemi shumë bashkëpunues, mirëpo në anën tjetër edhe jemi shumë të zënë me prioritete tjera në veçanti e mbi të gjitha me luftimin e pandemisë Covid-19.
Kështu që, siç e kemi thënë më herët në një moment të përshtatshëm ne do t’i përgjigjemi presidentit, mirëpo nuk mund të them se do ta bëjmë tash menjëherë. Presidentin nuk e lëmë pa përgjigjje, por vendin tonë gjithashtu nuk e lëmë pa qeverisje të mirë.
Edhe po të kishim ndonjë qeveri tjetër, nuk do të mund të kishte prioritet tjetër përveç luftimit të pandemisë, dhe jam i bindur se qeveria jonë këtë po e bën shumë mirë edhe tash si qeveri në detyrë pas mocionit të mosbesimit. Pra, urgjenca ekziston për ta luftuar pandeminë, por nuk ka ekzistuar për ta rrëzuar qeverinë dhe aq me pak për të bërë ndonjë lloj manipulimi për qeveri të re siç ka aluduar presidenti”.