Portieri i Kombëtares Thomas Strakosha do t’i ribashkohet lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Edy Reja, dhe ndryshe nga herët e kaluara këtë herë nën ngjyrat kuq e zi, jo ato bardhekaltër të Lazios.
Megjithatë ,ky pikëtakim i radhës do të duhet të pres, pasi që përshkak të një dëmtimi portieri 24-vjeçar nuk do të jetë në fushë për dy kualifikueset e radhës, që kombëtarja shqiptare do t’i luajë me Islandën dhe Moldavinë (më 8 dhe 11 qershor). Për shkak të dëmtimit 24-vjeçari Strakosha nuk u grumbullua fare nga Simone Inzaghi edhe për ndeshjen e së hënës në Serie A, kundër Bologna.
Shqetësimet fizike, që e mundojnë Strakoshën prej disa javësh, e kanë kushtëzuar si në stërvitje gjithashtu edhe në ndeshje, ndërsa për të mos rënduar më tej situatën, trajneri Inzaghi e kursyer në sfida të ndryshme portierin shqiptar. Vetëm në finalen e Kupës së Italisë, Strakoshës iu kërkua të bënte një sakrificë dhe të luante me injeksione, për të mos ndier dhimbje gjatë ndeshjes. Ishte pikërisht ky aktivizim i sforcuar, që e ka përkeqësuar gjendjen fizike të 24-vjeçarit, sa ta ketë të vështirë të stërvitet, jo më të luajë. Klubi bardhekaltër po e mban në kontroll të rreptë mjekësor, duke mos rrezikuar më asgjë.
Në funksion të kësaj, duket thuajse i pamundur edhe angazhimi me kuqezinjtë për dy kualifikueset e qershorit, në kuadër të “Euro 2020”. Një fat i keq për portierin, sepse ai mungoi në kombëtare edhe në dy ndeshjet e kaluara, pas vendimit të ish-trajnerit Christian Panucci për ta lënë jashtë, pasi kërkoi leje për të ardhur pak me vonesë në grumbullim. Mbetet të konfirmohet zyrtarisht nga FSHF-ja, por edhe nga Lazio, nëse Strakosha do të vijë për kontroll tek stafi mjekësor kuqezi, apo do të vijojë riaftësimin në kryeqytetin italian.