Telenovela e kësaj merkatoje vere, është padyshim Neymar.
Dëshira e brazilianit është të rikthehet te Barcelona, madje ai nuk është paraqitur në stërvitje me skuadrën dhe klubi parisien njoftoi pak ditë më parë se do të merrte masa ndaj futbollistit.
Drejtuesit e PSG-së nuk mund ta lejojnë pa të paktën 200 mln euro.
Së fundmi, në një intervistë të dhënë për mediat, Neymar ka irrituar jo pak drejtuesit duke kujtuar momentin më të veçantë.
Ai pranon se kujtimi më i bukur që ka në karrierë, është përmbysja që i bënë PSG-së në kohën kur e mundën me rezultatin 6-1.
“Ajo që ndjemë kur shënuam edhe golin e gjashtë ndaj PSG-së, ishte diçka që nuk e kisha ndierë kurrë më parë, diçka e pabesueshme. Kujtimi më i bukur nga dhoma e zhveshjes? Nuk e di, kur fituam me Barcelonën ndaj PSG-së, ishte diçka ku të gjithë u bëmë si të çmendur nga festa. Besoj se ishte ndjenja më e bukur e mundshme për të gjithë ne”, u shpreh Neymar
Nga fjalët e tij, kuptohet qartë, që Neymar nuk e sheh më të ardhmen e tij te PSG-ja, por dëshira e vetme është të rikthehet edhe njëherë tjetër te Barcelona.