Në dhjetor 2018 në Itali bënte bujë një foto ku ministri i Punëve të Brendshme Matteo Salvini takohej përzemërsisht me një personazh të errët, Luca «il Toro» Lucci. Për atë takim Salvini u justifikua: “Hera e parë që e takoja, ku ta dija unë që ka precedente penale. Tifozë nën hetim në Curva Sud? Edhe unë jam nën hetim”, duke mbrojtur në një farë mënyrë famëkeqin Lucci.
Ky i fundit është lideri i grupimit ultra të Milanit që qëndron në tribunën jugore, Curva Sud, ndërsa para një viti ishte në burg, i arrestuar për trafik droge për llogari të grupeve kalabreze e shqiptare, por më herët edhe për dhunë, pasi vite më parë dhunoi një tifoz të Interit (4,5 vite burg), i cili humbi njëri sy dhe pak kohë më vonë vari veten.
Tani policia italiane ka sekuestruar dy prona të Luccit, me vlerë totale 1 milion euro, një pronë dykatëshe me garazh dhe një lokal në Milano, që shërbente si vendtakim historik për tifozët e Milanit.
«Clan 1899» nuk ishte një lokal i thjeshtë ku takoheshin tifozët, sipas policisë, sepse shërbente si një bazë operative për trafikun e drogës.