Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi është ndalur mbrëmjen e sotme në Ballsh, ku ka takuar naftëtaret që janë në grevë urie, tashmë prej tre ditësh. Kryemadhi tha se është e pafalshme që në grevë të qendrojnë gratë, dhe që të mos ketë asnjë reflektim nga ana e qeverisë.
“Ne që të vijmë këtu duhet të bëjmë. Nuk dua të përfshihem politikisht dhe kjo edhe keqkuptohet. Ne e kemi më të vështirë si gra të vijmë se përfshihemi emocionalisht. Të jesh grua në shtëpi, të mbash fëmijët e punët por të punosh edhe në naftë dhe të mos paguash… Unë mendoj për zgjidhjen e cila nuk është vetëm te pagat, por te vazhdimësia e cila është ndër gjërat e panegociueshme. Njerëzit nuk e dinë pse jeni në grevë urie. Njerëzit nuk e dinë që kjo ka ndodhur me një firmë.
Unë po e studioj këtë si histori. Që ku nisi protesta për Poçemin. Unë mendoj se evidentimi i problematikave është mjaft i rëndësishëm. Pozicioni juaj është si djegia e mandateve tona, që po nuk bëmë një hap të tillë nuk kujtohet njeri për ne. Ne duhet të shohim se kush është ngërçi. Problemi është se këtu koka është po e njëjta. Problemi është se e kemi diskutuar edhe me Kejdin që është gocë Mallakastër. Zonjat e Fierit do të vijnë në Tiranë për shkak të lëvizjeve sociale”, tha Kryemadhi.
Ndërsa gratë naftëtare kanë kërkuar zgjidhje për këtë problem, pasi sipas tyre nuk kanë mundësi që marrin ilaçet dhe të bëjnë vizita. Duke qenë se jemi në muajin e kancerit të gjirit, naftëtaret treguan se e kishin të pamundur që të bënin një mamografi, dhe për ilaçet iu duhet të marrin borxh.
“Mblidhuni dhe jepni një zgjidhje kushdo qoftë, jepini një zgjidhje. Nuk është më koha të gjejmë se kush e hapi gropën, ajo iku, tani ne duam zgjidhje. Unë dua të ha nuk dua tesë partie. Sot diskutohet buka. Kemi punuar 30 vite në arin e zi. Ne kemi naftën dhe e shesim ndërkohë që e gjithë bota lufton për ta”, thanë gratë naftëtare.