Kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi përmes një video shprehet se në Tiranë është duke u kryer krim elektoral. Sipas Këlliçit në zonën e Unazës së re në Tiranë është duke u punuar natën pa lajmëruar banorët.
Këlliçi i bën thirrje instancave shtetërore në Shqipëri, SPAK dhe Prokurorisë së Tiranës të nisin hetimet si dhe kërkon vëmendjen e OSBE dhe ambasadave për të vepruar pasi sipas tij këto punime janë për qëllime elektorale.
Postimi i Belind Këlliçit:
Krim elektoral në Tiranë!
Prej 2 javësh, në rr. “Milto Sotir Gurra” në Unazën e Re, po hidhet asfalt elektoral. Punimet i bëjnë natën.
Nuk ka asnjë tabelë që informon banorët e lagjes për këto punime. Nuk ka asnjë kontratë, asnjë tender, se nuk pret puna. Duan t’u hedhin hi syve banorëve me një shtresë asfalti që për punë muajsh do çahet si petë byreku.
Me të më njoftuar banorët për këtë maskaradë fushate, telefonova policinë dy herë që të vinin në vendngjarje. Askush nuk erdhi.
I bëj thirrje Prokurorisë së Posaçme SPAK dhe Prokurorisë së Tiranës, të nisin hetimet për këtë krim elektoral që bëhet natën hajdutërisht. Kërkoj vëmendjen e Prezencës së OSBE-së dhe misionit vëzhgues ODIHR në Shqipëri, dhe të ambasadave të shteteve mike, të veprojnë për të ndaluar këtë model abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë për qëllime elektorale.
Dëshpërimi juaj për pushtet nuk është asgjë krahasuar me dëshpërimin ekonomik të qytetarëve që kanë pritur 8 vjet për të parë punët tuaja.
Po shtroni rrugën drejt burgut.
(R.G/Faxweb.al)