Një resort me shtëpiza pushimi është djegur gjatë natës së kaluar në zonën e Qafë Thorës, në Malësinë e Madhe.
Burime bëjnë me dije se dëmi që i është shkaktuar këtij biznesi në fushën e agroturizmit përllogaritet të jetë në vlerën e 3 milionë eurove, ndërkohë që investitori Gëzim Olaj, ishte kthyer nga Britania e Madhe për të investuar në Shqipëri.
Në një bisedë telefonike me gazetaren e Fax News Vilma Voci, Olaj ka thënë se zjarri është vënë qëllimisht, ndërkohë që personat që e kanë vendosur atë, nuk janë identifikuar ende.
Ai nuk ka dhënë një koment të mëtejshëm për ngjarjen, duke thënë se çdo gjë ia ka lënë në dorë drejtësisë për t’u zbardhur, por nuk përjashtohet fakti që zjarri të jetë vendosur për shkak të konkurencës.
Pak muaj më parë, biznesi i Olajt u promovua në një video dhe nga kryeministri Rama, ndërkohë që pamjet dhe investimin e bërë mund ta shihni dhe në videon e mëposhtme.
Çfarë shkruante Rama:
Aty ku Gëzim Olaj po investon për një pikë të re agroturizmi mes natyrës së mrekullueshme që mahnit këdo që shkel në ato anë.
Kulla dhe Buni i Bajraktarit në Qafë Thore janë një sipërmarrje e guximshme e njerëzve si Gëzimi, që meritojnë respekt dhe mbështetje në cdo kohë. Ferma e tij këtë vit përfitoi mbështetje nga fondet e Skemës Kombëtare për blegtorinë. Në thirrjen e tretë të programit IPARD II, do të aplikojë për të kërkuar mbështetje për ndërtimin e një fabrike të përpunimi të qumështit dhe mishit.
Zhvillimi i agroturizmit në Shqipëri është sot një realitet falë politikave tona mbështetëse me fonde dhe lehtësi të veçanta fiskale
(E.K/Faxweb.al)