Para publikimit të opinionit perfundimtar në dhjetor lidhur me ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor, Komisioni i Venecias ka kërkuar dhe ka nisur takimet online me disa institucione kryesore dhe parti politike në vend.
Këtë të hënë, përfaqësues të Venecias kanë biseduar me Presidentin Ilir Meta dhe në orën 11:00 me drejtues të KQZ. Ky fakt konfirmohet për Fax News nga Presidenca dhe KQZ, si dhe vetë Komisioni i Venecias, i cili shprehet se: “Takimet po zhvillohen, por asnjë informacion tjetër nuk është i disponueshëm për momentin, ndërsa pritet një informacion përmbledhës që të botohet pas takimeve.”
Gazeta Mapo zbuloi se të gjitha institucionet kanë marrë një kërkesë për takime në datat 23-24 Nëntor, përfshirë Kuvendin dhe Kryeministrin. Por dhe këtu Komisioni i Venecias është gjetur përpara një surprize, siç i thanë “Mapo”, burime të besueshme.
Ndërsa Presidenca, Opozita (PD dhe LSI), KQZ dhe shoqëria civile janë dakordësuar për takimet për në datat e propozuara nga Komisioni i Venecias, Kuvendi dhe Kryeministri Edi Rama duket se ende nuk kanë konfirmuar, duke kërkuar përsëri shtyrje të tyre. Fax News pyeti edhe kreun e grupit të Partisë Socialiste nëse do jetë pjesë e këtyre diskutimeve, por nuk mori asnjë përgjigje.
E gjendur në këto kushte, Venecia ka përgatitur një axhendë takimesh vetëm me autoritetet që kanë konfirmuar. Pas takimeve online këtë të hënë me Presidentin dhe KQZ, të martën Komisioni i Venecias do bashkëbisedojë edhe me PD në orën 11:00 ndërsa në 12:15 me LSI dhe në 14:15 me OJF.
Komisioni i Venecias i ka dërguar paraprakisht autoriteteve shqiptare edhe pyetjet për të cilat pret të diskutojë me to, si më poshtë:
-A ka relacion shoqërues për ndryshimet kushtetuese dhe në Kodin Zgjedhor, që argumentojnë arsyet dhe impaktin e këtyre ndryshimeve?
-Lidhur me ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut dhe ndryshimet e 5 tetorit në Kodin Zgjedhor: Kush u konsultua? Partitë politike, përfshirë ato kryesore jashtëparlamentare, qoftë edhe përmes Këshillit Politik? Shoqëria civile? Ekspertët ligjorë? A ka pasur një konsultim publik për këto ndryshime? Si u morën parasysh mendimet e shprehura?
-(Pyetje veçanërisht për Presidentin e Republikës) A konsideroni se është shkelur procedura për rishikimin e Kushtetutës / Kodit Zgjedhor, dhe, pse?
-A janë bërë simulime me sistemin e ri zgjedhor (pra, pa koalicione, prag më i ulët)? Cilat ishin rezultatet?
-Cilat janë arsyet për ndryshimet në sistemin zgjedhor – përfshirë futjen e votimit preferencial; të drejtat e veçanta të kandidimit për kryetarë të partive politike; kërkesa për një parti udhëheqëse në listat e përbashkëta?
-Cili është ndikimi i ndryshimit kushtetues në lidhje me caktimin e zonave elektorale?
Kjo është hera e parë në 30 vite, ku Qeveria dhe Kuvendi përpiqen të vonojnë Opinionin e Komisionit të Venecias, duke nxjerr pengesa për realizimin e procedurës së konsultimit të autoriteteve me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias.