Kolegji Zgjedhor është insitucioni i radhës ku Partia Demokratike dhe LSI po zhvillojnë betejën e tyre për pavlefshmëri të zgjedhjeve në qarqe të ndryshme të vendit.
Ditën e sotme Kolegji Zgjedhor u mblodh për herë të parë për të shqyrtuar ankesat e 25 prillit dhe qarku i parë i marrë në konsideratë ishte ai i Gjirokastrës.
PD dhe LSI kërkonin që të shpallej pavlefshmëria në këtë qark për shkak të procesit jo të rregullt zgjedhor, si dhe kërkonte marrjen e provave shtesë. Mirëpo Kolegji Zgjedhor vendosi t’ja rrëzojë të dy kërkesat.
Menjëherë pas këtoj vendimi kanë reaguar dy përfaqësuesit e PD-së dhe LSI-së, Ivi Kaso dhe Altin Kaziaj.
Kaso tha se beteja për transparencë do të vazhdojë deri në fund, duke e akuzuar mazhorancën se ka penguar qytetarët të votojnë të lirë në 25 prill.
“Vendimarrja përfundimtare ishte për rrëzimin e kërkesave tona. Ne nuk kemi hequr dorë dhe nuk do heqim dorë nga këmbëngulja për të bërë transparencë për këtë proces të errët. Ka qenë proces i ndikuar nga mazhoranca për të mos lejuar qytetarët të votojnë të lirë. Prova te reja do dalin cdo dite.
Beteja për transparencë është e gjithanshme dhe nuk lidhet vetëm me procesin zgjedhor. Shkeljet që kemi ngritur ne janë të shumëanshme. Të jenë të sigurtë autorët që secili do të japë llogari për veprimet apo mosveprimet e veta për sa i përket respektimit të ligjit”, deklaroi Kaso.
Nga ana tjetër, Altin Kaziaj e quajti një absurd vendimin e Kolegjit Zgjedhor në një kohë aq të shkurtër, si edhe faktin që nuk u pranua marrja e provave shtesë.
“Nuk kemi si pranojmë dhënien e një vendimi në një kohë kaq të shkurtër. Ky është absurditet. Në këto zgjedhje janë sjellë aq shumë prova, sa në të gjitha zgjedhejt e tjera bashkë nuk janë sjellë. E kanë pasur shumë të lehtë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor nëse do kishin vullnetin e mirë për një procedurë të thelluar për të marrë kërkesat për prove dhe për t’i shqyrtuar brenda afateve kohore dhe për të dhënë një vendimarrje objektive dhe jo vendimarrje të cënueshme që nuk krijon besim te qytetarët”, përfundoi Kaziaj.
(E.H/Faxweb.al)