Koreja e Veriut ka ekzekutuar një qytetar me skuadër pushkatimi si ndëshkim për thyerjen e rregullave të koronavirusit, raporton Daily Mail. Viktima akuzohet se kishte bërë kontrabandë duke kaluar kufirin e mbyllur me Kinën. I ekzekutuari është një 50-vjeçar.
Gazeta shkruan se koreano-veriori u ekzekutua më 28 nëntor për të trembur edhe qytetarët e tjerë që të zbatojnë rregullat. Vendi komunist zyrtarisht thotë se nuk ka asnjë rast me Covid-19. Megjithatë Koreja e Veriut ka nisur të zbatojë rregulla të rrepta të izolimit.
Burimet thonë se kushdo që kalon kufirin e mbyllur me Kinën, do të ekzekutohet. Koreja e Veriut druhet se kontrabandistët do të sjellin raste me virus në vend.
Kina është partneri kryesor tregtar i Koresë së Veriut, por tregtia mes dy vendeve ka rënë me 75 përqind prej pandemisë.