Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka mbledhur sot Task Forcën kundër koronavirusit në Rinas, ku theksoi se në vendin tonë nuk ka asnjë pacient që të jetë konfirmuar si i prekur.
Ministrja kërkoi nga qytetarët që ti besojnë vetëm informacioneve që vijnë në rrugë zyrtare, pasi mund të bjenë pre e lajmeve të rreme, siç qe ai i djeshëm që qarkulloi në rrjetet sociale, e ku thuhej se kishte 12 raste me koronavirus në vendin tonë.
“Ju kemi informuar për rastet e mundshme, ku 6 raste që janë analizuar nga ISHP kanë rezultuar negative”, theksoi ministrja.
“Jemi të përgjegjshëm dhe duhet të ecim me transparencë maksimale me publikun, për të gjitha masat që jemi duke ndërmarrë. Komunikimin me publikun e kemi thelbësor për të shmangur çdo dezinformim. Edhe dje jo pak mesazhe kanë qarkulluar që kanë nxitur panik.
Nuk është koha që paniku t’i zë vendin arsyes. Është koha të vlerësojmë dhe dëgjojmë ekspertët, që në Shqipëri nuk mungojnë, të cilët po ndjekin planin e veprimit të miratuar nga tas-forca dhe strukturat në qeverinë shqiptare.
Dua t’iu ftoj si media për t’iu pasur bashkëpunëtorë ashtu si dhe qytetarë, në një situatë që nuk kërkon panik, por përgjegjësi, transparencë dhe racionalitet. Jemi përballur dje me mesazhe të rreme, të cilat menjëherë kemi informuar nëpërmjet Ministrisë për jo vërtetësinë e tyre”, tha ministrja e Shëndetësisë.
Ndërkohë që sipas Manastirliut me marrjen e sinjaleve për rastet me koronavirus në Itali, janë dyfishuar kontrollet në aeroport dhe pikat e tjera kufitare, që sipas saj janë nën kotroll të plotë.
Por pavarësisht pretendimeve të ministres, dhjetra qytetarë që hynë dje në Shqipëri, kryesisht nga Rinasi dhe nga porti i Vlorës, shpreheshin se nuk iu kishin bërë asnjë kontroll, madje autoritetet ishin mjaftuar vetëm me marrjen e një interviste të shkurtër.
“Sipas parametrave dhe udhëzuesve të OBSH, janë përkthyer në protokolle kombëtare të punës sonë. Në të gjithë protokollin që ne zbatojmë, jemi duke ndjekur situatën. Masat e shtuara kanë të bëjnë me dyfishimin e strukturave tonë në pikat e kalimit kufitar.
Po bëhet vlerësim i imtësishëm i të gjithë udhëtarëve, në raport me vendin nga vijnë, për të pasur më pas një gjurmim të çdo rasti.
Po vijon trajnimi kaskadë në të gjithë strukturat e kujdesit shëndetësor në gjithë Shqipërinë, për vendosjen në gjendje të gatishmërisë, për informacionet dhe protokollet e ndjekjes e trajtimit të simptomave të kësaj sëmundje. Jo vetëm po vijon forcimi i kapaciteteve të burimeve njerëzore, por puna ka qenë edhe me strukturat paralele, kufirin, policinë, arsimin”, deklaroi ministrja.
(E.K/Faxweb.al)