Ka vijuar edhe sot kërkimi për personat që kanë mbetur në rrënoja në Thumanë. Gjatë natës ka patur një ndalim të operacionit kërkim-shpëtimit, pasi ka patur edhe një shkëputje të energjisë elektrike, dhe puna ka rinisur sërish në orët e para të mëngjesit.
Fatkeqësisht, mëngjesin e sotëm u gjendën të pajetë Klement Cupi 34 vjeç, dhe babai i tij, Hajedini 67 vjeç. Klementi kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Anglia, ku punonte prej disa vitesh si emigrant.
Sule Cara, është pjesëtarë i familjes Cara, ai u shpreh për FaxNews se nën rrënoja janë edhe katër pjesëtarë të tjerë të familjes. Cara teksa fliste për personat që kanë humbur jetën në rrënoja, përlote.
“Në katin e parë kam nusen xhaxhait me vajzën e vajzës, ndërsa në katin e dytë, kam djalin e xhaxhit, por nuk e di nëse është Almiri apo Alfi. Ne kemi patur 7 persona të vdekur. Jemi në akth, po torturohem. Albert Cara kryefamiljari është në spital, dhe po kërkon familjen e tij, të cilët kanë humbur jetën të gjithë në rrënoja. Shpresat i kemi në zot, shpreh ngushëllimet për të gjithë.”
(K.H/Faxweb.al)