Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri ka reaguar ditën e sotme pasi KAS vendosi të rrëzojë kërkesën e Kreshnik Merxhanit për shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit në qarkun e Gjirokastrës.
Sipas LVV-së, KAS votoi sot në mbështetje të krimit elektoral, duke shtuar se ky vendim tenton të vendosë vulën e heshtjes dhe mosveprimit mbi vjedhjen dhe deformimin e votës.
Më tej, në postimin e LVV-së thuhet se pa u shprehur mbi asnjë prej provave të depozituata nga Merxhani, me arrogancën e numrave dhe në shkelje të Kodit Zgjedhor, tre anëtarët e KAS-it e rrëzuan sot ankesën e Merxhanit, pa marrë parasysh fare provat e dorëzuara prej tij.
Reagimi:
KAS votoi sot në mbështetje të krimit elektoral
Me 3 vota Kundër dhe 2 vota Pro, Komisioni për Ankesa dhe Sanksione (KAS) e rrëzoi sot ankesën e kandidatit të pavarur Kreshnik Merxhani për shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në Qarkun e Gjirokastrës.
Pa u shprehur mbi asnjë prej provave të depozituata nga Merxhani, pa folur fare për videot e bëra publike që dëshmonin përtej çdo dyshimi manipulimin e votave gjatë procesit të numërimit, pa pranuar kërkesën për verifikime të thelluara, me arrogancën e numrave dhe në shkelje të Kodit Zgjedhor, tre anëtarët e KAS-it e rrëzuan sot ankesën e Merxhanit. Ky vendim tenton të vendosë vulën e heshtjes dhe mosveprimit mbi vjedhjen dhe deformimin e votës. Anëtarët e KAS-it janë të përzgjedhur nga partitë politike. Tre prej tyre, ata që votuan kundër ankesës, janë të përzgjedhur nga Partia Socialiste. Me një përbërje të tillë, KAS-i ndjek linjën e instucioneve të kapura që punojnë kundër drejtësisë dhe demokracisë.
Ne do të vazhdojmë ta ndjekim këtë ankesë duke e depozituar kërkesën tonë brenda 5 ditëve pranë Kolegjit Zgjedhor.
Tiranë, 19 maj 2021
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra në Shqipëri
(E.H/Faxweb.al)