Është dhënë vendimi për vrasësit e të riut Hermes Beqiri në qytetin e Shkodrës, krim i cili ka ndodhur në vitin 2017.
Gjykata e Shkodrës ka dhënë 12 vite burg për autorin e vrasjes Elvis Hoxhën, ndërsa 8 vite burg janë dhënë për bashkëpuntorin e tij Ditmir Arifi.
Ky vendim është pritur me pakënaqësi nga ana e familjarëve të Hoxhës, nëna e të cilit ka shpërthyer në të qara jashtë gjykatës.
Ndërkohë që dhe avokati mbrojtës i tij është shprehur se vendimi është dhënë i pambështetur bë prova shkencore, dhe se do të vijojnë me apelimin e tij.
Kujtojmë se Hoxha në asnjë moment nuk e ka pranuar vrasjen e bashkëmoshtararit të tij, po ka qenë dëshmia e bashkëpunëtorit Arifi ajo që ka hedhur dritë mbi ngjarjen.
Harifi ka dhënë një dëshmi të detajuar rreth ngjarjes duke kërkuar disa herë falje dhe mëshirë për krimin e kryer. Ai gjithashtu ka pohuar se nuk ka pasur për qëllim vrasjen e Beqirit pasi ishin shokë.
“Me Hermes Beqirin ishim shokë po ashtu dhe me Elvis Hoxhën. Paraditen e datës 2 nëntor kam qënë së bashku tek daja i Elvisit në Gruemirë të Malësisë së Madhe me motorçikletë. Pasdite jemi nisur për kafe në lagjen Kiras ku na priste Hermesi me shokë të tjerë. Ai kishte blerë motor sportiv dhe i kërkova të ma linte për ta provuar. Bëra një xhiro i vetëm, më pas me Hermesin dhe pastaj sërish vetëm.
Herën e fundit e mbusha me karburant me lekët e mia dhe për këtë kam dëshmitarë. Kur u ktheva tek lokali Hermesi i kishte marrë kapelën Elvisit dhe ky i fundit i kërkonte t’ja kthente. Debatuan ashpër me njëri-tjetrën, në fund Hermesi ia ktheu por e fyeu me fjalë dhe e goditi me shkelm në ije. Në këto momente Elvisi më kërkon të ikim në shtëpi të merrnim lekë për të paguar kafet pasi nuk kishte të holla të mjaftueshme me vete.
E marr dhe nisemi, më kërkon të ndaloj pranë një kanali, ku mesa po e kuptoj kishte fshehur armën që unë nuk e pashë dhe e fshehu nën xhaketë. Pastaj më kërkon që të rikthehemi sërish tek lokali pasi kishte për t’i dhënë diçka djemve. Sapo mbërritëm, zbriti nga motori dhe qëlloi në drejtim të Hermesit duke e lënë të plagosur rëndë. Pasi qëlloi mbi Hermesin mu drejtua mua dhe me armë në dorë më kërkoi që të largoheshim.
Nga frika dhe paniku për gjithë çfarë kishte ndodhur kam ecur deri në lagjen Rus dhe aty jemi ndarë. Unë nuk kam paramenduar vrasjen dhe nuk kam pasur asnjë qëllim apo përfitim nga ngjarja. Kam bërë gabim trashanik me pasoja katastrofike për familjen e Hermes Beqirit. U kërkoj falje dhe mëshirë.”
(E.K/FAXWEB.AL)