Deputeti i PS-së, Ulsi Manja i ka dhënë një përgjigje më në fund sfidës së kreut të opozitës Lulzim Basha, që prej kohësh tashmë kërkon një përballje televizive me kryeministrin Rama.
“Shmang edhe debatin, që ju e dini, këtu në Mat keni disa fjalë të urta për trimërinë e burrave. Zgjuarsinë pas Kuvendit dhe trimërinë pas lufte. Trim në ekran duke sharë dhe përbaltur këdo, sigurisht preferencë ka opozitën, por nuk ja kursen akujt që i del përpara, por kur e ftoj në debat e qep gojën, ka frikë nga debate”, u shpreh Basha ditën e sotme.
Manja u shpreh se mungesën e debatit nuk e quan si një mungesë përgjegjësie, por sipas tij ata që braktisën kuvendin në vitin 2019, nuk e meritojnë përballjen me kandidatët e PS-së.
“Unë mungesën e debatit nuk e quaj si një mungesë përgjegjësie, por ata që braktisën kuvendin në vitin 2019, në vlerësimin tim nuk e meritojnë përballjen me ne. Ata i patën mandatet dhe dolën jashtë institucioneve. Për mua qytetarët kanë nevojë për një informacion tjetër. Qytetarët nuk e duam më debatin dhe kacafytjet në studiot televizive. Ne nuk po shmangemi nga përballja, por kandidatët e PD-së dhe LSI-së nuk e meritojnë debatin me ne sepse ata i braktisën institucionet. Nga ana tjetër Rama ka thënë se nuk do përballje me kopjen, por do kryetarin real të opozitës që është Berisha dhe Meta. Ai ka thënë se nuk mund të ndeshet me dikë që çfarë thotë në mëngjes nuk e thotë në darkë. Basha e ka përsëritur ftesën, por Rama e ka dhënë përgjigjen e tij,” deklaroi Manja.
(E.H/Faxweb.al)