Kreu i listës së kandidatëve së LSI-së në Vlorë, Luan Rama është shfaqur sot shumë entuziast duke hedhur poshtë të gjitha dyshimet se ai nuk ishte më në listën e kandidatëve.
Rama ka çelur dhe takimin e sotëm elektoral në Vlorë, ndërsa ndodhej në krah të Monika Kryemadhit duke hedhur poshtë dhe spekulimet e ditëve të fundit se LSI de facto e kishte spostuar nga fushata elektorale për shkak të përplasjeve të brendshme dhe me ish-kryetarin e saj, Ilir Meta.
Gjatë fjalës së tij Luan Rama u kujdes dhe te sqaronte pozicionin e tij në një furtunë që u ngrit rreth një përçarjeje të figurave më të larta të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
“Janë përpjekur të na poshtërojnë e përçajnë por nuk ia kanë dalë sepse LSI nuk është parti emrash, është parti zemrash”, tha ai.
‘Vlora e bukur, Vlora e zemrës së Shqipërisë është sot këtu e gjitha e bashkuar nën flamurin e Shqipërisë. E nderuar kryetare e LSI, Monika Kryemadhi, mirësevjen në Vlorë dhe ne jemi të gjithë bashkë për të vulosur fitoren e LSI.
Unë jam padyshim më i nderuari nga të gjithë që jam sot këtu bashkë me ju për të konfirmuar një punë me pasion dhe vendosmëri që kemi bërë këto 7 muaj, për t’a ngritur LSI nga e para me djemtë e Vlorës.
Lista e LSI është kohezioni i vlerave shpirtërore dhe i intelektualëve vetëm me synimin për të treguar se Shqipëria është prioriteti ynë.
Jam njëri midis 12 kandidatëve, i barabartë mes të barabartëve.
Janë përpjekur të na poshtërojnë e përçajnë por nuk ia kanë dalë sepse LSI nuk është parti emrash, është parti zemrash.- tha Luan Rama nga Vlora.