Një 43 vjeçar shqiptar është vrarë në Itali mbrëmjen e djeshme të së shtunës në periferi të Romës, në Itali.
Personi i ekzekutuar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur është vrarë në një pritë, teksa ishte duke u kthyer në burgun e Rebibbias, pasi ishte liruar me kusht.
Burri u godit në kokë dhe vdiq menjëherë, ndërsa nuk ka asnjë person të arrestuar për vrasjen.
Sipas gazetës italiane ‘Il Messagero’, ishte një ekzekutim i pastër, gjakftohtë, një vrasje mafioze e paramenduar.
Mjekët e gjetën shqiptarin të pajetë në vendin e ngjarjes, ai kishte vdekur në çast. Trupi u gjet pranë një makine Toyota.
Ai kishte të kaluar kriminale, vrasësi i dinte lëvizjte e tij dhe po e priste poshtë shtëpisë.
Pak pas vrasjes, në vendin e ngjarjes mbërriti vëllai 20-vjeçar i viktimës. Ai po ulërinte dhe po qante.
Hetuesit thonë se ekzekutimi ka lidhje me luftën mes klaneve. Zona në fjalë njihet për trafiqet ilegale prej shumë kohësh. Vetëm përpara pak ditësh, një njësi ushtarake kreu një operacion në këtë zonë për të arrestuar 21 persona. Vrasjet në Romë në këtë zonë janë bërë të zakonshme.