Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar ndërhyrjen e NATO-së kundrejt forcave serbe në Kosovë në vitin 1999.
Në një postim që ka bërë në Facebook, ai shkruan se në 24 marsin e vitit 1999, ishte hera e parë që i ka pëlqyer uturima e avionëve dhe se atë ditë janë gëzuar shumë. Kurti ka shkruar se sakrificës së Kosovës atë ditë i’u bashkua aleancë më e madhe botërore, kundër terrorit të Serbisë.
Në fund të postimit, Kurti është shprehur se gjatë 78 ditëve të ardhshme ata do t’i përkujtojnë me mall dhe pikëllim të gjitha ato që gjenocidi serb i mori.
Postimi i plotë:
Sot kremtojmë përvjetorin e ngadhënjimit të forcës së ndërgjegjes humane mbi dhunën e shovinizmit serb. Ishte hera e parë që na pëlqente uturima e avionëve të cilët po e shqyenin qiellin. U gëzuam fort. Mbrëmja e 24 marsit 1999 shënoi fillimin e bombardimeve të NATO-s mbi forcat e armatosura të Jugosllavisë së Milosheviqit. Shumë humbje, vuajtje e dëme u shkaktuan mbi popullin e vendin tonë në pranverën e para 22 viteve, por ishte ky agimi i çlirimit të Kosovës. Ishte agim sepse dhimbjet që kishin ndodhur në një burg të përgjithshëm për shqiptarët, tanimë po njoftoheshin në një qiell të hapur. Lufta jonë e ndërgjegjes kishte triumfuar në formën e vendimit të përbashkët të kombeve që prej më shumë se dy shekujsh ishin angazhuar në të drejtën. Sakrificës që kishte ardhur gjithnjë nga lënda njerëzore, gjaku dhe bijat e bijtë e popullit tonë, po i bashkohej aleanca më e madhe botërore e historisë. Në 78 ditët në vijim do t’i përkujtojmë me mall e pikëllim ata që na i rrëmbeu gjenocidi i Serbisë…
(E.H/Faxweb.al)