Vicente De Paula Mercedes ka qenë ndër lojtarët e shumtë të huaj të afruar te Bylis. Ish-mbrojtësi i ballshiotëve është ndalur të flasë për mediet në Brazil, ndërsa ka rrëfyer vështirësitë që ka hasur te Bylis gjatë periudhës kur aktivizohej në Superligë.
Mercedes tregon se në dushe nuk kishte ujë të ngrohtë dhe se në vendin tonë e mashtruan teksa e lanë në një dhomë pa kondicioner, duke mos I dhënë një banesë, ndryshe nga premtimet. Për “uol.com.br”, 25 vjeçari rrëfen edhe humbjen e së ëmës kur luante në Shqipëri në sezonin e shkuar, duke mos kursyer as presidentin Kapllanaj. 6 ndeshje dhe 449 minuta ka luajtur Vicente për Bylis, ndërsa tani aktivizohet te Hyrnik-Sport në ligën e dytë të Ukrainës.
“Ata më bënë shumë premtime. Kur mbërrita më thanë se do të kisha një apartament, por gjatë gjithë qëndrimit tim jetoja pa ajër të kondicionuar, dush të ftohtë në një vend që 7 gradë konsiderohet nxehtësi.
Humbja e nënës time gjatë kësaj periudhe ishte gjëja më e keqe që ndodhi në jetën time. Ata nuk më lanë të shkoja ta vizitoja kur kanceri po përkeqësohej. Nëse sot arrita të fitoj në jetë i detyrohem shumë asaj, e cila gjithmonë më mbështeste, gjithmonë më shtrinte dorën dhe më mësonte vlerën e familjes dhe zakonet e mira.
Flisja me presidentin falë përkthimit. Sa herë që kërkoja gjërat që ai kishte premtuar dhe ishin në kontratën time, më thoshte se do t’i jepte ditën tjetër. Gjithmonë duke e shtyrë për ditën tjetër dhe të nesërmen nuk vinte asgjë. Më gënjeu për të gjitha. Akomodimi në klub ishte i tmerrshëm. Më thanë se do të qëndroja për tre ditë atje sa të gjendej apartamenti im. Nuk kishte ajër të kodicionuar dhe ishte shumë ftohtë. Bisedova me mikun tim që të rrija në shtëpinë e tij pasi kushtet ishin shumë të tmerrshme në akomodimin e klubit. Nuk mora asnjë pagesë dhe çështja shkoi në FIFA.
Kur ndërroi jetë mamaja? Më ka mbetur peng. Ishte e vjetër dhe doktorët i kishin dhënë ditët e mbetura si afat. Fola me presidentin që të shkoja në Brazil që të shihja mamanë time dhe ta ndihmoja në një farë mënyre për gjërat e fundit që kërkonte përpara se të ndërronte jetë. Por kjo nuk u bë e mundur se presidenti i Bylisit ishte shumë injorant. Ai më thoshte se nuk mund të linte që të shkoja në Brazil pasi kishte frikë se unë nuk do të kthehesha më në Shqipëri. Ika me vrap për në aeroport se mos më pengonin”, tha Vicente mes të tjerash.