Shembjes së monumenteve të kulturës nuk do t’i shpëtojë as godina e parë 7-katëshe e kryeqytetit.
Lajmin për shembjen e ish-godinës së ATSH-së, e ka bërë me dije vetë kryebashkiaku Erion Veliaj gjatë një inspektimi në bulevardin Zogu i Parë me kryeministrin Edi Rama.
Pallati që sipas kryebashkiakut është i rradhës që do të shembet, është projektuar nga arkitekti Maks Velo dhe është godina e parë 7 katëshe e kryeqytetit. Që prej vitit 2007 kjo godinë mban edhe titullin monument kulture i kategorisë së dytë, për vlerat historike dhe arkitektonike që mbart.
Pas interesimit të FaxNeës burime pranë bashkisë bëjnë me dije se godina është në proces vlerësimi për shkak të dëmeve të marra nga tërmeti i 26 Nëntorit.
Por, kjo është lista e hartuar nga ministria e Kulturës për të gjitha ndërtesat që kanë pësuar dëmtime nga tërmeti. Në listë shihet se godina e lartëpërmendur nuk është e përfshirë.
Ndërsa në Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, nuk është paraqitur ende një projekt për këtë godinë, ndërkoh që mbetet enigmë fati i veprës së Maks Velos.