Sapo u konfirmua lajmi për ndërtimin e spitalit rajonal në Fier, Guri Rrokajt i shkoi në mendje që të krijonte një këngë për presidentin turk, Erdogan, e cila më pas do të bëhej menjëherë virale në rrjet. Në një intervistë për Fax news ai ka treguar dhe arsyet se pse e bëri këngën, ndërsa jugun e vendit e quajti ”vilajet” në nderim të Erdoganit.
“Si krijues dhe si këngëtar më shtyu mbështetja e madhe që ai na dha. Sa dëgjova lajmin se do bëhej spitali, e studiova në vetvete disa herë, dhe brenda një afati treditor bëra tekstin, melodinë, u konsultova me shokët, e këndova, inçizova dhe më pas e nxora në televizor. Mesazhin e madh e thotë kënga, te ndihma që Erdogan na ka dhënë në vazhdimësi”, shprehet Rrokaj.
Ndërkohë sa i takon reagimeve që ka pasur për këngët e tij, Rrokaj pati një mesazh dhe për gazetarët e stop që u tallën me të. “Ata gazetarët e stop të tv klan u them që non stop japin filma turk, e më pas merren e trajtojnë këtë punës si të duan ata. Guri Rrokaj është këngëtar që u ka kënduar dëshmorëve, më patriotë se mua nuk ka. Nuk e vras mendjen për këta që grijnë sallatë për mua”, thotë më tej këngëtari.
Grupi i tij e ka emrin Grupi Folklorit Gjergj Aranitasi dhe është vazhdimësi e grupit polifonik të Aranitasit në Mallakaster i krijuar në 1967 dhe u riorganizua përsëri me krijimtari folklorike me 1974 nga vetë kengetari Guri Rrokaj dhe vazhdon edhe sot si drejtues i Grupit Gjergj Aranitasi.
Ky grup ka mbi 400 këngë, ndërsa Rrokaj njihet nga gjithë Polifonia Shqiptare ku bashkë me grupin e tij ka marrë pjesë në shumë Festivale Folklorike.