Redjan Rraja ka apeluar në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda, masën e sigurisë arrest me burg.
Kërkesa është depozituar nga avokati mbrojtës i Rrajës, Besnik Çerekja, i cili pretendon se klienti i tij nuk ka asnjë lidhje me atentatin e ndodhur te mbikalimi i Shkozetit.
Dyshohet se Rraja ka përdorur si alibi faktin që ka qenë me modelen Kejvina Kthjella ditën kur u krye atentati ndaj Ndojës, Landi Muharremit dhe 24-vjeçarit Andi Maloku, që ndërroi jetë dje në spitalin e Traumës.
Në media u tha dje se Kejvina Kthjella u shoqërua në komisariat për disa orë me radhë, ku u pyet për raportin e saj me Rrajën, si dhe për dijeninë që ajo kishte mbi lëvizjet e tij. Vetë modelja nuk ka bërë asnjë reagim për mediat pas lajmit.
34-vjeçari Redjan Rraja u la nën masën e sigurisë arrest me burg nga gjykata për Krimet e Rënda për një sërë veprash penale më e rënda ajo e vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të ngelur në tentativë në dëm të prokurorit Arjan Ndoja si edhe shtetasve Aleksandër Laho dhe Andi Maloku. Redjan Rraja i ka mohuar akuzat, ndërkohë që policia po kërkon edhe dy persona të tjerë.
Por prova që e vendos Rrajën në pozita dyshuese është një gjurmë papilare në një palë syze, të cilat Rraja kundërshton që janë të tijat dhe se ai nuk e ka idenë se si gjendeshin në këtë automjet. Për qëndrimin tjetër të hetuesve të cilët i referohen qelizave të telefonit të tij, Rraja këmbëngul se udhëtonte shpesh në trekëndëshin Durrës-Tiranë-Nikël.
Madje i dyshuari ka kërkuar t’i shpjegohet se çfarë e lidhte atë me tre të plagosurit, të cilët ai pretendon se nuk i njeh. Prokuroria nga ana e saj i adreson Rrajës veç akuzës së vrasjes së mbetur në tentativë në kuadër të grupit kriminal edhe veprën e vjedhjes së automjetit të përdorur në krim, që rezulton të jetë vjedhur në muajit shtator në qytetin e Lezhës, ndërsa targat në Tiranë.
(E.K/Faxweb.al)