Policia e Elbasanit ka vënë në pranga drejtuesin e mjetit tip Benz që u përfshi në aksident gjatë ditës së djeshme afërsi të Qafë Thanës. Si pasojë mbetën të lënduar 5 pasagjerët që ndodheshin në mjetin tip Benz, ndërkohë që nuk pati dëmtuar në mjetin tjetër, autobusin që po kthehej nga Janina, me turistë që ishin duke u shkuar drejt Krujës.
Dyshohet se 28-vjeçari i arrestuar ka humbur kontrollin e mjetit dhe për pasojë është përplasur me autobusin që ka qenë duke lëvizur brenda korsisë përkatëse.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme për një aksident në aksin rrugor “Qafë Thanë-Prrenjas”, ju bëjmë me dije specialistët e qarkullimit rrugor të DVP Elbasan arrestuan shtetasin I. M., 28 vjeç, banues në fshatin Buçimas, Pogradec, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti është përplasur me autobusin me drejtues I. A. Nga ky aksident, ka marrë flakë automjeti që drejtohej nga shtetasi I. M. dhe janë dëmtuar 5 pasagjerët në të, të cilët janë në kujdesin e mjekëve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.