Ditën e sotme Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të heqë sekuestron e vendosur mbi serverat e portalit Lapsi.al, pas publikimit të skandalit me përdorimin e të dhënave të 900 mijë qytetarëve për qëllime politike.
Pas marrjes së këtij vendimi nga ana e Gjykatës së Posaçme ka reaguard avokati i Lapsi.al, Dorian Matlija, i cili thotë se nuk rezulton që SPAK deri më tani të ketë marrë në pyetje ndonjë patronazhist, apo ndonjë përfaqësues të subjektit politik të përfshirë në përdorimin e të dhënave të 900 mijë qytetarëve.
“Kjo është një çështje e freskët. Ky është një zhvillim i ri i gjykatës Evropiane dhe është marrë edhe nga apeli këtu. Deri tani nuk ka asnjë informacion apo pretendim nga ana e SPAK.
Në fund të fundit, nuk rezulton që SPAK të ketë thërritur patronazhistët, të shkonte tek subjekti politik që dyshohet se ka pasur këtë databazë”, tha Matlija.
Kujtojmë se para zgjedhjeve të 25 prillit, Lapsi.al nxori një databazë të të dhënave personale të mbi 900 mijë qytetarë në Tiranë që më pas mori emrin si ‘skemë patronazhistësh’ dhe hapi një debat kryesisht në politikë.
(E.H/Faxweb.al)