Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetEkonomiFlashTe FunditTe Gjitha

Hapen parukeritë, dentistët e qendrat tregtare; Kujdes, rregullat e reja që do zbatohen, dhe çfarë duhet të dini

Nga dita e sotme do të hapin dyert qendrat tregtare, do të mund të shkoni te parukierja ose berberi dhe për të gjithë ata që kanë pasur probleme me dhëmbët, pritja ka marrë fund. Pas gati dy muajsh kur këto aktivitete ishin tërësisht të mbyllura, si një masë për të parandaluar frenimin e Covid-19, aktiviteti tashmë ka rifilluar, por në kushte e rregulla tërësisht të reja. Distancimi, dezinfektimi i duarve, përdorimi i maskave, mosgrumbullimi janë kushtet e reja, që duket se do të na shoqërojnë gjatë. Nga sot zgjerohet dhe lëvizja e automjeteve pa autorizim brenda qarqeve, nga ora 5.00 deri në 17.30.

Parukeritë e berberët, takime online që të mos krijohen radhë

Krahas kushteve të përgjithshme si për çdo biznes tjetër, parashikohen dhe masa të posaçme si vetëm një klient në 10 metra katror, qese plastike në hyrje për klientët, që më pas hidhen, caktimi i takimeve me telefon që të mos krijohen radhë, ndalimi i qëndrimit brenda të shumë personave, dezinfektimi i gjithë pajisjeve pas përdorimit me një klient, pastrim i ambientit tre herë në ditë etj.

Rregullat kryesore janë:

Personeli i punësuar dhe personat e tjerë klientë duhet të përdorin në çdo moment dorezat mbrojtëse. Kujdes duhet treguar në prekjen e mjeteve të punës pas shërbimit të klientit. Fillimisht duhen dezinfektuar dorezat. Personeli i punësuar dhe personat e tjerë klientë duhet të mbajnë në çdo moment maskën mbrojtëse duke mbuluar hundën dhe gojën. Klienti që kryen trajtime të fytyrës mund të mos mbajë maskë, por duhet të sigurohet distanca më e madhe e mundshme klient-ofrues shërbimi dhe koha të reduktohet në maksimum. Rekomandohet përdorimi i maskave sa më profesionale apo mjekësore.

Në hyrje, jashtë ambientit, çdo klient pajiset me veshje plastike (qese) njëpërdorimshe për këpucët, të cilat hidhen në kosh në dalje. Veshje plastike për këpucët përdorin edhe ofruesit e shërbimit nëse nuk përdorin këpucë/ shapka të brendshme sterile. Në hyrje drejtuar direkt për në dhomën e zhveshjes, çdo klient që kryen shërbime të trajtimit trupor duhet të pajiset me veshje njëpërdorimshe, e cila hidhet në kosh.

Karriket, poltronat, krevatet etj. ku ofrohen shërbimet duhet të vishen me mbështjellëse letre të tipit roll-on me njëpërdorim. Në mungesë të mbështjellëses, vendet e ofrimit të shërbimit duhet të dezinfektohen mirë për çdo klient. Letra e përdorur griset dhe hidhet në kosh. Peshqirët duhet të jenë të ambalazhuar/paketuar dhe të përdoren vetëm njëherë për çdo klient. Pas përdorimit hidhen në kosh të mbyllur të veçantë. Peshqirët duhen larë çdo ditë. Prekja e peshqirëve të papastër bëhet vetëm me doreza.

Subjekti duhet të garantojë dhe respektojë në çdo moment distancën prej 2 metrash midis klientëve në çdo drejtim. Subjekti riorganizon vendosjen e vendeve të punës si karrige, poltrona, krevatë etj. sipas një plani individual në mënyrë që të respektojë detyrimin e mësipërm. Në rast të pamjaftueshmërisë së hapësirës subjekti shërben aq klientë sa i lejon hapësira duke respektuar detyrimin e mësipërm. Në ambientet me hapësirë mbi 40 metra katrorë mund të lejohet proporcionalisht një klient tepër për çdo 10 metra katrorë shtesë ambienti duke riorganizuar vendosjen për ruajtjen e distancës midis klientëve.

Subjekti shërben vetëm me prenotim online apo me telefon dhe nuk lejohet krijimi i rradhëve të pritjes në brendësi të ambientit apo jashtë tij.

Klinikat dentare

Punonjësit e klinikave dentare janë në mënyrë të veçantë të rrezikuar, për shkak të mundësisë së aerosoleve të prodhuara nga spërklat e pështymës gjatë manipulimit me pacientët. Këto spërkla mund të përthithen, të vijnë në kontakt me lëkurën ose mukozën, dhe/ose të vendosen në sipërfaqet e ambjenteve apo objekteve të klinikës dentare ose materialeve të tjera të përdorura gjatë aktivitetetit apo manipulimeve dentare e për rrjedhojë do të kemi kontaminim të tyre.

Për këtë arsye duhet të ndiqen udhëzimet si më poshtë:

-Personeli shëndetësor dentar/Administratori/personat e tjerë, duhet të përdorin në çdo moment dorezat mbrojtëse. Personeli shëndetësor dentar/Administratori/personat e tjerë, sipas pozicionit dhe kategorisë së punes duhet të mbajnë në çdo moment maskën mbrojtëse duke mbuluar hundën dhe gojën.

Gjatë proçedurave invasive punonjësit shëndetësor dentar duhet të vendosin MMP (Mjete Mbrojtese Personale) sipas nivelit të riskut. Punonjësit shëndetësor dentar duhet të njohin mirë proçedurën e veshje – zhveshje të MMP dhe eleminimin e tyre si mbetje të rrezikshme infektive.

Subjektet klinikë dentare duhet të kryejnë në mënyrë rigoroze menaxhimi i mbetjeve infekte në përputhje me proçedurat rutinë. Subjektet klinikë dentare duhet të pastrojnë, autoklavojnë dhe dezinfektojnë të gjitha pajisjet me shumë përdorim të përdorura për kujdesin e pacientëve. Në asnjë rast nuk lejohet kontakti fizik mes punonjësve apo mes palëve të treta përfshirë përshëndetjet.

Qendrat tregtare, shmangie e radhëve, kohë e kufizuar për blerje

Në qendra tregtare nuk do të kemi luksin që të kalojmë një paradite apo pasdite të gjatë. Koha do të jetë e kufizuar, në mënyrë që të mos krijohen grumbullime. Shkoni në qendra vetëm kur është e nevojshme, thuhet në rregullore.

Rregullat kryesore janë:

Një vizitor mund të qëndrojë vetëm për maksimum 2 orë dhe në qendër nuk mund të lejohen më shumë se 50% e kapacitetit të saj në të njëjtën kohë. Qendra tregtare duhet të informojë paraprakisht vizitorët për limitin e fashës orare dhe kapacitetet që qëndra tregtare duhet të ketë gjatë kësaj periudhe. Qendra tregtare duhet të ketë dyer elektrike, duhet të përcaktojë vetëm një hyrje dhe një dalje, pra levizje e vizitorëve vetëm në një drejtim.

Të gjitha pikat e hyrjes në qendër duhet të jenë të hapura për të siguruar kalimin e vizitorëve në korridorin e sigurisë, i cili duhet të jetë me shenja të dukshme në dysheme. Qendrat tregtare do të kenë një plan veprimi për higjienën dhe desinfektimin. Të gjitha qendrat tregtare do të kenë një dhomë izolimi mjekësor për qëllime urgjente në rast se dikush në qendër dyshohet se është i infektuar nga virusi. Sipërfaqet me nivel ndotje apo prekje të lartë duhet të pastrohen shpesh me dezifektante. (shkallët elektrike, butoni ashensorit, tualetet etj.)

Të përdoret ashensori por jo më shumë se 30% e kapaciteteve të tij. Qendra tregtare dhe dyqanet të promovojnë pagesat me kartë por nuk përjashtohet pagesa “cash”. Shërbimet tregtare me tavolina apo shërbim në këmbë, nuk lejohen gjatë kësaj periudhe në ambjentet e brendshme të qendrës tregtare. Subjekti shërben vetëm një klienti në ambient, ndërkohë që të tjerët presin jashtë në rradhë me distancë 2 metra nga njëri-tjetri. Në ambientet më hapësirë mbi 30 metra katrorë mund të lejohet proporcionalisht një klient tepër për çdo 10 metra katrorë shtesë ambienti, duke orientuar klientët në ruajtjen e distancës. Jashtë vendosen shenjat identifikuese të rradhës për hyrje në ambient ose mund të vendoset një punonjës për të drejtuar hyrjedaljen e klientëve. Në arkë vendoset shenja identifikuese e distancës klientarkë./Monitor

Po firmoset një peticion për ringritjen e Teatrit Kombëtare ashtu siç ishte më parë. Ju si mendoni:

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *